Hamas ka dorëzuar mbrëmë, 14 tetor, trupat e katër pengjeve izraelitë të vrarë, njoftoi Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), ndërsa procesi i identifikimit të viktimave është ende në zhvillim. Kryqi i Kuq i mori trupat në arkivole dhe ia dorëzoi ushtrisë izraelite.
Ky zhvillim erdhi pasi Izraeli kishte paralajmëruar se do të kufizonte ndihmat për në Gaza nëse Hamas nuk kthente trupat e të gjithë 28 pengjeve të vdekur.
Sipas Kryqit të Kuq, të martën janë kthyer në Gaza edhe 45 trupa palestinezësh.
Armëpushimi nën trysni, Izraeli kërcënon me hakmarrje
Zyra e IDF-së bëri me dije se identifikimi i katër trupave të fundit është ende në proces. Sipas planit të armëpushimit të presidentit amerikan Donald Trump, që u pranua nga të dyja palët, dorëzimi i të gjithë 48 pengjeve duhej të përfundonte të hënën në mesditë, 13 tetor.
Por ndërsa të gjithë pengjet e gjallë janë kthyer, presioni po rritet ndaj Hamasit dhe qeverisë izraelite për 20 trupat e mbetur. Zyrtarë palestinezë dhe banorët në Gaza janë shprehur të shqetësuar se vonesa e Hamasit mund të rrezikojë vazhdimësinë e armëpushimit dhe të ndezë një tjetër valë dhune.
Në një deklaratë të ashpër, IDF tha:
Hamas duhet të përmbushë pjesën e tij të marrëveshjes dhe të bëjë gjithçka që trupat e pengjeve t’u kthehen familjeve për varrim të denjë.
Ministri izraelit i mbrojtjes paralajmëroi se çdo vonesë apo shmangie e qëllimshme “do të konsiderohet shkelje e rëndë e marrëveshjes dhe do të ketë përgjigje të ashpër”.
Izraeli pezullon ndihmat dhe mbyll kalimin Rafah
Autoritetet izraelite kanë njoftuar se do të kufizojnë hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza dhe do të shtyjnë hapjen e pikës kufitare Rafah me Egjiptin, pasi akuzojnë Hamasin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Nga ana tjetër, Hamas ka deklaruar se ka vështirësi për të gjetur trupat e të vdekurve, duke pretenduar se disa janë ende nën rrënoja. Një kopje e marrëveshjes së armëpushimit, e publikuar nga mediat izraelite, pranon se nuk mund të gjenden të gjitha trupat e pajetë brenda afatit të parë./kb
