Autoritetet shëndetësore evropiane po vijojnë hetimet mbi shpërthimin e virusit hantavirus të lidhur me anijen turistike “Hondius”, e cila ishte nisur në një ekspeditë polare nga Argjentina.
Eksperti i mikrobiologjisë dhe epidemiologjisë molekulare, Andreas Hoefer, deklaroi gjatë një konference virtuale të organizuar nga European Centre for Disease Prevention and Control se nuk ka indikacione që ky variant i virusit të sillet ndryshe nga shtamet e njohura, duke sugjeruar se bëhet fjalë për një transmetim të vetëm nga kafshët te njeriu.
Sipas Hoefer, analizat paraprake tregojnë se nuk ka prova për përhapje të gjerë mes njerëzve në bord, ndërsa hetimet për mënyrën e transmetimit dhe analizat gjenomike po vijojnë me përparësi.
Drejtoresha e European Centre for Disease Prevention and Control, Pamela Rendi-Wagner, bëri të ditur se është rekomanduar karantinë e rreptë gjashtëjavore për pasagjerët pa simptoma, ndërsa rastet e dyshuara po monitorohen në disa vende evropiane.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë World Health Organization ka deklaruar se priten raste të reja nga ky grup infeksioni, por theksoi se situata nuk është e ngjashme me COVID-19 dhe nuk përbën pandemi.
Hantavirusi, i cili zakonisht përhapet përmes brejtësve, në raste të rralla mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu në kushte kontakti të afërt. Periudha e inkubacionit mund të zgjasë deri në gjashtë javë, ndërsa ekuipazhi dhe pasagjerët e anijes janë vendosur në izolim në disa vende të Evropës./mxh
