Last Updated on 03/07/2026 by Kesjana
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi lajmëroi të premten hapjen e Shkollës Kombëtare të Fluturimit.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Nufi, e cilësoi krijimin e kësaj shkolle si një hap strategjik për zhvillimin e mëtejshëm të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
Nufi tha se Shkolla Kombëtare e Fluturimit nuk përfaqëson thjesht një institucion të ri arsimor, por një investim afatgjatë në formimin e personelit ushtarak dhe në modernizimin e kapaciteteve të aviacionit ushtarak.
“Nuk po përurojmë një strukturë të re arsimore, por po hedhim një gur themeli në fuqizimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura drejt së ardhmes. Krijojmë një kapacitet të ri strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare”, u shpreh ministri Nufi.
Ai theksoi se shkolla do të shërbejë si një qendër për përgatitjen e kuadrove të specializuara, duke promovuar dijen, disiplinën dhe profesionalizmin, elementë që, sipas tij, janë thelbësorë për rritjen e aftësive operacionale të Forcave të Armatosura./kb
