Last Updated on 13/11/2025 by Monika
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, njoftoi sot, më 13 nëntor, se ka marrë ftesë për takim nga Glauk Konjufca dhe zyra e tij, por nuk ka marrë pjesë. Ai tha se takimet e propozuara nuk i konsideron serioze dhe nuk sheh nevojën për t’u angazhuar në to.
“Zoti Konjufca ose zyra e tij kërkuan komunikim me mua ose me kolegët e mi, por nuk e shohim të nevojshme të marrim pjesë,” deklaroi Haradinaj pas mbledhjes së kryesisë së partisë.
Ai theksoi se, edhe në rast se do të kishte ndonjë propozim për bashkëpunim, AAK-ja nuk ka plan të bashkëpunojë me askënd. Haradinaj shtoi se nuk ka pasur asnjë kërkesë lidhur me votimin e kandidatit të dytë për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje.
Megjithatë, ai vlerësoi figurën e Glauk Konjufcës, duke nënvizuar se mosangazhimi i AAK-së nuk lidhet me marrëdhënie personale, por me qëndrimin e partisë për të mos u përfshirë në diskutime të paqarta për ndarje të përgjegjësive.
