Last Updated on 08/10/2026 by Anisa
Reforma Administrativo-Territoriale pritet të kalojë sot në Kuvend, në një seancë që pritet të shoqërohet me tensione si brenda, ashtu edhe jashtë Parlamentit. Projektligji parashikon shkrirjen dhe bashkimin e 15 bashkive, duke riformatuar hartën administrative të vendit.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve të Tiranës që t’i bashkohen protestës para Parlamentit në orën 10:00.
“Edi Rama sot ekzekuton 15 bashki për karrigen e tij! Ora 10:00, të gjithë bashkë në protestë para Parlamentit! Përtej çdo bindjeje politike, t’i dalim zot interesit qytetar”, shkruan Berisha.
Për miratimin e projektligjit nevojiten 84 vota. Socialistët rrezikojnë të mos e sigurojnë këtë shumicë, pasi dy deputetë të mazhorancës, Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ndarjes së re. Edhe deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka deklaruar se do të votojë kundër draftit të propozuar nga Partia Socialiste.
Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar protestë si në sallën e Kuvendit, ashtu edhe jashtë godinës.
Në sheshin para Parlamentit pritet të mblidhen edhe qytetarë të përfshirë në të ashtuquajturin “revolucion flamingo”, protestat e të cilëve janë shoqëruar edhe me hedhjen e vezëve ndaj deputetëve.
Për mbarëvajtjen e protestës dhe garantimin e rendit, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie në pjesën e jashtme të Parlamentit, ndërsa brenda godinës siguria mbulohet nga Garda e Republikës.
Bashkitë që parashikohet të shkrihen dhe bashkohen
- Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
- Klos + Mat → Bashkia Mat
- Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
- Dimal + Poliçan + Berat → Bashkia Berat
- Patos + Fier → Bashkia Fier
- Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
- Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
- Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
- Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
- Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
- Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
- Cërrik + Belsh + Elbasan → Bashkia Elbasan
- Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd
