Last Updated on 11/07/2026 by Monika
Sonda japoneze Hayabusa2 ka realizuar me sukses një fluturim jashtëzakonisht të afërt pranë asteroidit Torifune, rreth 100 milionë kilometra larg Tokës, duke fotografuar nga afër trupin qiellor që shkencëtarët besojnë se është formuar nga bashkimi i dy asteroidëve. Misioni u zhvillua më 5 korrik 2026 dhe konsiderohet një nga fluturimet me shpejtësi të lartë më të guximshme të kryera ndonjëherë pranë një asteroidi. Hayabusa2 kaloi vetëm disa kilometra larg Torifune, me një shpejtësi relative prej rreth 5 kilometrash në sekondë, ose mbi 18 mijë kilometra në orë. Për shkak të mungesës së informacionit mbi kushtet përreth asteroidit, vetë ekipi shkencor e kishte cilësuar operacionin si të rrezikshëm.
Gjatë afrimit, sonda përdori kamerën optike të navigimit për të fotografuar asteroidin, ndërsa kamera me rreze infra të kuqe regjistroi temperaturën e sipërfaqes së tij. Matjet treguan se zonat në hije janë shumë më të ftohta se ato të ndriçuara nga Dielli, ndërsa analizat e para sugjerojnë se Torifune ka një sipërfaqe shkëmbore, të konsumuar nga koha dhe të përbërë kryesisht nga minerale silikate si pirokseni dhe olivina.
Torifune, i njohur zyrtarisht si 98943 Torifune, ka një diametër rreth 450 metra dhe i përket grupit të asteroidëve Apollo, orbitat e të cilëve kryqëzojnë orbitën e Tokës. Ai rrotullohet rreth Diellit çdo 383 ditë dhe përfundon një rrotullim rreth boshtit të tij në vetëm pesë orë. Shkencëtarët besojnë se ai është një contact binary, pra një asteroid i krijuar nga bashkimi i ngadaltë i dy trupave më të vegjël, ndaj edhe është pagëzuar nga mediat si “asteroidi me dy koka”.
Ky fluturim nuk ishte pjesë e planit fillestar të misionit, por u shtua në fazën e zgjeruar të Hayabusa2 për të testuar teknologjitë e navigimit autonom me saktësi shumë të lartë. Sipas agjencisë hapësinore japoneze JAXA, këto teknologji mund të jenë vendimtare për misionet e ardhshme të mbrojtjes planetare, që synojnë devijimin e asteroidëve potencialisht të rrezikshëm për Tokën.
Hayabusa2 u lëshua në hapësirë në vitin 2014 dhe u bë e njohur pasi solli në Tokë mostra nga asteroidi Ryugu në vitin 2020. Analizat e tyre zbuluan se Ryugu përmban pesë nukleobazat themelore të ADN-së dhe ARN-së, duke ofruar të dhëna të rëndësishme për origjinën e përbërësve kimikë të jetës në Sistemin Diellor.
Pas suksesit me Torifune, destinacioni i ardhshëm i sondës është asteroidi 1998 KY26, ku pritet të mbërrijë në vitin 2031. Me një diametër prej vetëm 11 metrash, ai mund të bëhet asteroidi më i vogël i vizituar ndonjëherë nga një sondë hapësinore. Objekti është klasifikuar së fundmi edhe si një “kometë e errët” (dark comet), një kategori e re dhe ende misterioze trupash qiellorë, çka e bën këtë mision një nga më të pritshmit për komunitetin shkencor./mxh
