Benny Blanco ka vendosur të bëjë një eksperiment të pazakontë për të provuar se mund të humbasësh peshë edhe duke ngrënë vetëm ushqimin e preferuar. Producenti muzikor hëngri vetëm pica për pesë ditë rresht dhe në fund rezultati në peshore ishte befasues.
38-vjeçari dokumentoi të gjithë eksperimentin në TikTok, duke treguar se çdo ditë konsumonte vetëm një picë të madhe me brumë të hollë nga Domino’s.
Në fillim të eksperimentit, Blanco u ngjit në peshore dhe tregoi se peshonte reth 69 kilogramë. Gjatë ditëve në vijim, ai publikoi pamje nga rutina e tij, duke treguar se nuk po konsumonte ushqime të tjera.
Madje, pica e shoqëroi edhe në një mbrëmje romantike me bashkëshorten e tij, Selena Gomez. Blanco e mori picën me vete në darkën e tyre në një prej ambienteve luksoze të Los Angelesit, ndërsa Gomez shijonte ushqimin e restorantit.
Në një moment të videos, këngëtarja shihet duke puthur Blanco-n në qafë, duke i dhënë eksperimentit edhe një moment romantik.
Por pas disa ditësh, producenti nisi të lodhej nga dieta e pazakontë. Në ditën e tretë, ai pranoi me humor se ishte ngopur plotësisht me pica.
“E urrej jetën time,” shprehet ai në video.
Në ditën e pestë, Blanco duket edhe më i lodhur nga eksperimenti dhe pyet veten se si ishte jeta para se pica të bëhej ushqimi i tij i vetëm.
Megjithatë, në fund ai deklaron se ndihet “shumë mirë” dhe vendos të kontrollojë sërish peshën.
Rezultati? Peshorja tregoi rreth 67 kilogramë. Pra, Blanco kishte humbur rreth 2.1 kilogramë, gjatë pesë ditëve.
“Thjesht humba 2.1 kilogramë duke ngrënë pica. Asgjë nuk ka rëndësi, bëni çfarë të doni”, tha ai me shaka, përpara se të promovonte librin e tij të ardhshëm, F–ck Failure, i cili pritet të publikohet më 15 shtator./mxh
