Sot, në orën 09:00, në GJKKO pritet të mbahet seanca e radhës paraprake për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së Erion Veliajt. Pritet të shihet nëse do të zhvillohet seanca për shkak se avokatët njoftuan 5 ditë bojkot deri të premten, pas arrestimit të avokatit Ulian Barjamit për kërcënim të prokurorit Gjergji Ceka gjatë një seance në gjykatën e Elbasanit. Barjami u lirua pasditen e djeshme dhe nuk dihet nëse avokatët mund t’i rikthehen punës apo të vijojnë me bojkotin deri të premten.
Edhe seanca e kaluar u shty për shkak të bojkotit të avokatëve pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja. Për dosjen Veliaj, përveç kryebashkiakut të Tiranës, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, janë marrë të pandehur janë edhe 28 persona dhe shoqëri, përfshirë ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, Veliaj akuzohet se është përfshirë në 9 raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Edhe Xoxa përballet me akuza për korrupsion pasiv në 9 raste, gjithashtu në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Ajo akuzohet po ashtu për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave. Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Një ditë më parë, Apeli i GJKKO i rrëzoi kërkesën Veliajt për të shpallur si të pavlefshme hetimet paraprake të kryera nga SPAK. /K.M
