Last Updated on 10/03/2026 by Anisa
Në Gjykatën e Lartë është hedhur shorti për shqyrtimin e rekursit të paraqitur nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, si edhe nga Gentian Gjyli dhe Erlad Elezi. Sipas procedurës së përcaktuar, relator i çështjes është caktuar gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda.
Pas hedhjes së shortit, pritet që trupa gjykuese të përcaktojë edhe datën kur do të zhvillohet seanca për shqyrtimin e rekursit. Deri më tani, një afat i tillë ende nuk është bërë publik.
Në rekursin e saj, Balluku ka kundërshtuar vetëm masën e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Përmes përfaqësuesve ligjorë, ajo argumenton se kjo masë është e pajustifikuar, duke theksuar se nuk ekziston asnjë rrezik që ajo t’i shmanget drejtësisë.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë pritet të vendosë nëse masa e sigurisë do të mbetet në fuqi apo do të ndryshohet, pasi të shqyrtohen argumentet e palëve në proces./A.D
