Përgatiti: Leonard Veizi
Në verën e vitit 1973, Italia dhe opinioni publik botëror u tronditën nga rrëmbimi i Xhon Pol Geti III, nipit të miliarderit amerikan Xhej Pol Geti. Ngjarja nuk ishte thjesht një akt kriminal për para, por një dramë e errët njerëzore dhe morale, ku u përplasën dhuna ekstreme e krimit, dyshimi familjar dhe ftohtësia e pasurisë së madhe. Ky rast mbetet edhe sot një nga rrëmbimet më famëkeqe të shekullit XX…
…Xhon Pol Geti III jetonte në Romë një jetë boheme dhe shpesh provokuese. Ai kishte bërë më parë shaka për një “vetë-rrëmbim” për të marrë para nga familja, gjë që bëri që policia italiane dhe madje edhe gjyshi i tij, Xhej Pol Geti, të dyshonin fillimisht se ngjarja ishte e inskenuar. Kjo mungesë besimi vonoi reagimin serioz dhe u dha kohë rrëmbyesve të forconin presionin.
Akti i dëshpëruar i rrëmbyesve
Për të provuar se rrëmbimi ishte real, banda kriminale ndërmori një akt tronditës: i preu veshin viktimës dhe e dërgoi atë, së bashku me një fije floku dhe një letër kërcënuese, në një gazetë romane. Ky gjest makabër shënoi pikën e kthesës në këtë histori.
Kërcënimi përfundimtar
Në letër thuhej qartë se, nëse shpërblimi nuk paguhej shpejt, do të dërgoheshin pjesë të tjera të trupit të të riut. Ky paralajmërim brutal e detyroi familjen Geti të vepronte seriozisht për shpëtimin e tij.
Geti, miliarderi kontradiktor
Xhej Pol Geti njihej për kursimin ekstrem, pavarësisht pasurisë së tij gjigante. Ai refuzoi fillimisht pagesën e 17 milionë dollarëve, duke argumentuar se një pagesë e tillë do të nxiste rrëmbime të tjera dhe do të vinte në rrezik nipat e tjerë. Thuhej se ai kishte një parim të hekurt: “Nuk paguaj kurrë shpërblime”.
Negociatat
Vetëm pasi mori veshin e prerë të nipit të tij, Geti pranoi të negociojë. Shuma përfundimtare e rënë dakord ishte rreth 3 milionë dollarë (ekuivalente me rreth 20 milionë dollarë sot).
Edhe në këtë moment kritik, ai vendosi kushte të forta: pagoi vetëm 2.2 milionë dollarë, shumën maksimale që mund të zbriste nga taksat. Pjesën tjetër, rreth 800 mijë dollarë, ia huazoi djalit të tij – babait të Xhon Polit – me interes 4%. Ky detaj e ka bërë figurën e tij simbol të ftohtësisë dhe kontradiktës morale.
Lirimi pranë Napolit
Pas marrëveshjes, Xhon Pol Geti III u la i lirë dhe u gjet në një pompë karburanti në jug të Italisë, pranë Napolit. Ai ishte i gjallë, por rëndë i traumatizuar fizikisht dhe psikologjikisht.
Rrëmbimi la pasoja të thella në jetën e tij. Ai u përball më vonë me varësi nga droga dhe alkooli. Në vitin 1981, Xhon Poli pësoi një goditje në tru të shkaktuar nga mbidoza, duke mbetur pjesërisht i paralizuar dhe me aftësi të kufizuara për pjesën tjetër të jetës. Ai vdiq në vitin 2011.
Jehoja në kinematografi
Historia e rrëmbimit u kthye në burim frymëzimi për artin dhe kinemanë, përfshirë filmin “Ol dhë Mani in dhë Uërld” prodhim i vitit 2017 të Ridli Skotit dhe serialin “Trast” i vitit 2018, duke i dhënë kësaj ngjarjeje një jetë të dytë në kulturën popullore.
Epilogu
Rasti i Xhon Pol Geti III nuk është vetëm një histori rrëmbimi, por një pasqyrë e errët e fuqisë shkatërruese të pasurisë së madhe. Dyshimi fillestar i familjes, dërgimi i veshit të prerë dhe pagesa e shpërblimit si hua me interes e bëjnë këtë ngjarje një nga episodet më tronditëse të viteve ’70, ku vlera e jetës njerëzore u mat me çmimin e parave.
