Përgatiti: Leonard Veizi
Në një epokë kur kufijtë mes shkencës dhe besimit ishin të paqartë, një i ri 28-vjeçar nga Gjermania do të guxonte të vendoste një datë për krijimin e gjithësisë. Sipas përllogaritjeve të Johannes Kepler, universi kishte lindur në vitin 4977 para erës sonë – një përpjekje që sot mund të duket e çuditshme, por që në kohën e tij përfaqësonte një ndërthurje tipike të matematikës, astronomisë dhe teologjisë.
I lindur në vitin 1571 dhe i ndarë nga jeta në 1630, Kepler ishte një nga figurat kyçe të revolucionit shkencor të shekullit XVII. Ai është i njohur për formulimin e ligjeve të lëvizjes planetare, të cilat më vonë do të bëheshin themeli mbi të cilin Isaac Newton ndërtoi teorinë e tij të gravitetit universal. Megjithatë, bota në të cilën jetonte Kepler ishte larg ndarjes së qartë që njohim sot mes disiplinave shkencore.
Në atë kohë, astronomia dhe astrologjia bashkëjetonin pa një kufi të prerë. Ndërkohë që astronomia konsiderohej një degë e matematikës, fizika ishte ende pjesë e filozofisë natyrore. Në këtë realitet intelektual, Kepler nuk e shihte si kontradiktë përdorimin e argumenteve fetare në kërkimet e tij shkencore. Përkundrazi, ai besonte se universi ishte krijuar sipas një plani hyjnor, të cilin njeriu mund ta kuptonte përmes arsyes.
Kjo filozofi e udhëhoqi edhe në përpjekjen për të përcaktuar momentin e krijimit të gjithësisë. Duke kombinuar kronologjinë biblike me përllogaritje astronomike, Kepler arriti në përfundimin e tij të famshëm: viti 4977 p.e.s.
Në veprën e tij Harmonices Mundi (“Harmonia e Botës”), ai shprehej me një ton që ndërthurte përulësinë me vendosmërinë shkencore:
“Nëse më falni, do të gëzohem; nëse zemëroheni, do të duroj. Librin po e shkruaj për t’u lexuar nga bashkëkohësit e mi ose nga brezat e ardhshëm – kjo nuk ka rëndësi. Libri i pret lexuesit e tij për qindra vjet; vetë Zoti priti gjashtë mijë vjet që puna e tij të shihej.”
Sot, shkenca moderne e ka zhvendosur ndjeshëm këtë datë. Modeli kozmologjik më i pranuar gjerësisht, Big Bang, sugjeron se universi është krijuar rreth 13.8 miliardë vjet më parë – një përmasë kohe që tejkalon çdo përfytyrim të epokës së Keplerit.
Megjithatë, edhe kjo teori nuk është përfundimtare. Shkencëtarët ende debatojnë mbi natyrën dhe shkakun e shpërthimit fillestar, ndërsa disa hipoteza hedhin idenë e ekzistencës së shumë gjithësive – një “multivers” ku universi ynë është vetëm një ndër shumë të tjerë, ndoshta edhe i pafund.
Në këtë sfond, përpjekja e Keplerit nuk mbetet thjesht një gabim kronologjik. Ajo përfaqëson një moment kyç në historinë e mendimit njerëzor – një kohë kur njeriu, i armatosur me besim dhe matematikë, nisi të kërkonte përgjigje për pyetjen më të madhe nga të gjitha: kur dhe si filloi gjithçka.
