Më 17 dhjetor 1790, në zemër të kryeqytetit meksikan, gjatë punimeve për riparimin e Katedrales së Meksikos, punëtorët hasën në një objekt gjigant prej guri që do të trondiste botën shkencore dhe do të bëhej një nga simbolet më të fuqishme të qytetërimit aztek. Ishte guri kalendarik i njohur sot si Guri i Diellit, ose ndryshe Guri i Pesë Epokave – një skulpturë monolite me diametër 3 metra e 70 centimetra dhe peshë rreth 24 tonë.
Që nga momenti i zbulimit, ky disk monumental prej bazalti ka nxitur më shumë pyetje sesa përgjigje. Qëllimi i tij i saktë dhe kuptimi i simboleve të gdhendura mbi të mbeten ende objekt debatesh mes arkeologëve, historianëve dhe antropologëve. Megjithatë, një gjë është e sigurt: Guri i Diellit dëshmon për nivelin e lartë të dijes teknike dhe simbolike të popullsive autoktone të Tenochtitlan-it, kryeqytetit të dikurshëm aztek, mbi rrënojat e të cilit u ndërtua sot qyteti i Meksikos.
Vetë transportimi i këtij monoliti kolosal nga gurorja deri në vendin përfundimtar tregon se aztekët zotëronin njohuri të avancuara të gjeometrisë, mekanikës dhe organizimit kolektiv, edhe pse nuk përdornin rrotën apo kafshë të mëdha për tërheqje. Ky fakt, për shumë studiues, është po aq mahnitës sa simbolika e gdhendur në sipërfaqen e gurit.
Në qendër të diskut shfaqet një fytyrë enigmatike, e rrethuar nga simbole komplekse. Sipas një teorie të përhapur, ajo përfaqëson hyjninë azteke të diellit, Tonatiuh-un, figurë qendrore në kozmovizionin e këtij qytetërimi, që kërkonte ushqim përmes flijimeve njerëzore për të garantuar vazhdimësinë e botës. Teori të tjera sugjerojnë se fytyra simbolizon mitin e krijimit të Tenochtitlan-it ose vetë qenien kozmike që mbart ciklet e jetës dhe shkatërrimit.
Një aspekt tjetër thelbësor i Gurit të Diellit lidhet me konceptin e kohës. Glifet dhe shenjat e shumta të gdhendura në rrethet përqendrore interpretohen shpesh si elementë kalendarikë: ditë, muaj dhe cikle kozmike. Disa prej tyre mendohet se përfaqësojnë pesë epokat nëpër të cilat, sipas mitologjisë azteke, ka kaluar toka që nga krijimi, secila e përfunduar nga një katastrofë kozmike.
Guri bart gjithashtu një dimension të fortë gjeografik dhe kozmologjik. Katër figurat kryesore të vendosura rreth qendrës lidhen nga disa studiues me katër anët e dheut, pikat kardinale që strukturojnë hapësirën dhe rendin e universit. Qarqet e brendshme, nga ana tjetër, duket se ndërthurin nocionet e hapësirës dhe kohës, duke e shndërruar gurin në një hartë simbolike të botës.
Përtej fesë dhe astronomisë, shumë studiues theksojnë edhe aspektin politik të këtij monumenti. Guri i Diellit mund të ketë shërbyer si një instrument identitar, një shprehje e një kulture vetë-centriste që synonte të mbante të bashkuar popullin, duke shpallur Tenochtitlan-in si qendrën e botës dhe, rrjedhimisht, qendrën e autoritetit dhe pushtetit. Nuk është rastësi që popullsitë autoktone përreth kryeqytetit meksikan besojnë se në mbishkrimet e këtij guri fshihet historia e tyre kolektive, ndaj shpesh i referohen atij si “Libri i Madh i Historisë”.
Ndërkohë, shkencëtarë në Meksikë dhe në Shtetet e Bashkuara prej dekadash punojnë për deshifrimin e plotë të simboleve të gdhendura, duke kombinuar arkeologjinë, astronominë, antropologjinë dhe teknologjitë moderne të skanimit.
Megjithatë, pavarësisht interpretimeve të shumta, arkeologët e Muzeut Kombëtar Antropologjik në Meksiko, ku Guri i Diellit është sot i ekspozuar, priren drejt një hipoteze më tokësore: se ky monument madhështor ka shërbyer më shumë si altar ose arenë për flijime rituale, sesa si një instrument i saktë kalendarik apo astronomik. Një objekt ku feja, pushteti dhe frika kozmike bashkoheshin në një simbol të vetëm, të gdhendur në gur dhe të destinuar të sfidojë kohën.
Në këtë kuptim, Guri i Diellit mbetet jo vetëm një relike e së shkuarës, por një enigmë e gjallë, që vazhdon të flasë për botëkuptimin, frikërat dhe ambiciet e një qytetërimi të zhdukur, por jo të harruar.
Përgatiti: L.Veizi
