Nga Leonard Veizi
Për Petron thuhet se ishte një njeri me karakter të fortë dhe të pavarur, ndërsa Pavli, një ish-i burgosur që kërkonte të rikthehej në shoqëri. Dy hajdutë të vegjël, dy njerëz të dështuar në skajet e jetës, pa punë dhe pa ndonjë shpresë për të ardhmen. Por një mëngjes dimri, kur dielli duket sikur sjell një premtim të ri, varfërisë së tyre i shfaqet shpëtimi në formën e Stavrosit. Një plutokrat enigmatik, i mbyllur në vetvete, me sjellje të ftohtë dhe një portofol plot para. Oferta është e thjeshtë dhe e parezistueshme: të kujdesen për gruan e tij të sëmurë, të shtrirë në shtrat, në këmbim të ushqimit, strehimit dhe një pagese të majme ditore….
…Por pikërisht këtu nis absurdi. Stavro nuk kërkon dy gra që të kujdesen për fëmijë, siç sugjeron titulli “Dadot”. Ai kërkon dy burra që të bëhen kujdestarë të një gruaje të vdekur. Dhe pyetja e parë që lind është e pashmangshme: përse një njeri i pasur do t’ia besonte njeriun më të dashur dy të panjohurve, dy njerëzve që nuk kanë asgjë për të humbur?
Pikërisht kjo pyetje hap dramën e hidhur dhe njëkohësisht groteske të teatrit modern grek, “Dadot” shkruar nga Jorgos Kurti.
Një marrëveshje me të vdekurën
Stavro jeton në një vilë luksoze, por të izoluar. Një shtëpi me dritare të mbyllura, me qepena të blinduara dhe me një heshtje që ngjan më shumë me një varr sesa me një banesë.
Dy të varfërit hyjnë aty duke menduar se fati më në fund u buzëqeshi. Por në fakt, ata kanë hyrë në një botë ku gënjeshtra është bërë mënyrë jetese.
Stavro u tregon se gruaja e tij kishte vdekur dikur, por tani, sipas tij, ajo është kthyer në jetë. Nuk është më një e vdekur. Është përsëri aty. Dhe ai kërkon prej tyre ta trajtojnë si të gjallë.
Ky nuk është thjesht një truk dramaturgjik. Është zemra simbolike e veprës.
Në analizën politike të kohës, figura e gruas lidhet me vetë idenë e demokracisë. Në Greqinë e regjimit të kolonelëve, pas grushtit të shtetit të vitit 1967, propaganda pretendonte se demokracia kishte vdekur përpara ndërhyrjes së ushtrisë dhe se diktatura ishte ajo që kishte sjellë “shpëtimin”.
Gruaja e Stavrosit është pikërisht kjo demokraci e kthyer në fantazmë: një kufomë që mbahet gjallë me kujtime, rituale dhe frikë.
Kur Stavro më në fund e sjell trupin e saj në dhomë me një karrocë, ajo është aq e plakur dhe e shpërfytyruar sa Petro dhe Pavli shpërthejnë në lot. Por Stavro nuk pret keqardhje. Ai pret respekt. Madje pret dashuri.
Tre njerëz që ruajnë një të shkuar të vdekur
Në këtë pikë, drama e Kourtit del përtej kufijve grekë. Ajo bëhet një metaforë më e gjerë për shoqëritë që nuk arrijnë të ndahen nga e kaluara.
Gruaja e balsamosur nuk është thjesht një kufomë. Ajo është një kujtim që refuzon të vdesë. Është nostalgjia për një kohë të humbur, një e kaluar e lyer me kujdes, e parfumosur dhe e paraqitur si e bukur, megjithëse brenda saj ka filluar kalbëzimi.
Stavro nuk ruan gruan e tij. Ai ruan iluzionin e tij.
Ai beson se mund ta ndalë kohën, se mund ta burgosë historinë brenda katër mureve dhe se mjafton që njerëzit të vazhdojnë ritualin për ta mbajtur të gjallë atë që ka vdekur.
Por edhe shtëpia është pjesë e kësaj simbolike. Vila me qepena të mbyllura është një shoqëri që ka frikë nga drita. Brenda saj jetojnë miti, frika dhe bindja e verbër. Jashtë është bota që ecën.
Është historia e çdo sistemi që mbyll dritaret për të mos parë ndryshimin.
Ndërsa dy dadot janë njerëzit e tranzicionit. Ata nuk janë heronj dhe as viktima të pafajshme. Janë njerëz të lodhur, pa siguri, pa një busull morale të qëndrueshme, të gatshëm të pranojnë edhe absurditetin më të madh nëse ai u siguron bukën e ditës.
Kurti prek një mekanizëm të dhimbshëm njerëzor: sa lehtë mund të bëhesh kujdestar i një kufome, nëse pagesa është mjaft e mirë.
Rituali bëhet më i fortë se arsyeja. Njerëzit vazhdojnë t’i afrohen një të vdekure, t’i tregojnë respekt dhe të luajnë rolin e tyre, vetëm sepse kështu kërkon protokolli.
Autori nuk na thotë thjesht se Stavro është i çmendur. Ideja e tij është shumë më e rëndë: shoqëritë mund të mësohen me çmendurinë, nëse ajo vjen e shoqëruar me siguri dhe shpërblim.
Kur “Dadot” u bënë shqiptare
Nuk është rastësi që kjo dramë u bë veçanërisht e afërt për publikun shqiptar pas viteve ’90. Ishim një shoqëri që sapo kishte dalë nga izolimi i gjatë dhe po hynte në një realitet të ri, ku përballeshin kujtimet e së shkuarës me etjen për para, pushtet dhe status.
Në skenën shqiptare ajo mori një dimension tjetër me një kast të jashtëzakonshëm: Roland Trebicka, Genc Fuga dhe Agim Qirjaqi, nën regjinë e Inis Gjoni.
Trebicka solli groteskun njerëzor dhe tragjikomikën e njeriut të vogël përballë absurdit. Fuga mishëroi brishtësinë e atij që pranon të bëjë kompromise me veten për një jetë më të lehtë. Ndërsa Qirjaqi krijoi një Stavro të paharrueshëm: një njeri të qetë, elegant, pothuajse fisnik në sjellje, dhe pikërisht për këtë edhe më të frikshëm.
Një njeri që nuk të detyron me dhunë të duash një kufomë. Ai thjesht të paguan që ta bësh.
Atëherë u kuptua se “Dadot” nuk ishte vetëm një dramë për Greqinë e kolonelëve. Ishte një dramë për çdo shoqëri që përpiqet të blejë kujdestarë për të kaluarën e saj.
Ishte një pasqyrë edhe për Shqipërinë e viteve të para të tranzicionit, ku disa menduan se gjithçka mund të blihej: pasuria, respekti, heshtja dhe madje edhe njerëzit që do të ruanin kujtimet e tyre.
Në fund mbetet pyetja më e fortë e veprës: kur njëri prej dadove vret tjetrin për paratë, sepse Stavro premton një shpërblim më të madh për atë që mbetet vetëm, a kemi dalë vërtet nga vila?
Apo thjesht kemi ndërruar rolet?
Sepse ndonjëherë kufoma nuk është varrosur. Thjesht është vendosur në një dhomë tjetër dhe dikush vazhdon të paguhet për ta ruajtur.
