Pas luftës, disa kriminelë nazistë u rekrutuan për operacione inteligjence nga SHBA-ja, BRSS-ja, Izraeli dhe vende të tjera.
Historiani Danny Orbach, përmes artikullit “Sekrete të patreguara” nga Riccardo Michelucci, marrë nga arkivat e Focus Storia, tregon se si disa kriminelë lufte nazistë përfunduan në shërbimet sekrete të fuqive kryesore botërore pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjuetia e nazistëve
Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, Aleatët u zotuan të ndiqnin kriminelët nazistë të luftës “deri në skajet e botës”. Në realitet, megjithatë, shumë nga udhëheqësit përgjegjës për tmerret e Holokaustit arritën të shpëtonin, shpesh me mbrojtjen e Bashkimit Sovjetik ose të fuqive perëndimore, të cilat më pas i rekrutuan gjatë Luftës së Ftohtë.
Tabu
Rasti më famëkeq dhe sensacional i bashkëpunimit midis të arratisurve nga Rajhu i Tretë dhe shërbimeve të inteligjencës perëndimore është ai i Klaus Barbie, ish-komandant i Gestapos franceze, i njohur me nofkën “Kasapi i Lionit”, i rekrutuar nga kundërzbulimi amerikan menjëherë pas luftës. Por ai nuk ishte i vetmi.
Ishte një përqafim vdekjeprurës, i nxitur nga realpolitika dhe paratë, që kapërceu ideologjitë dhe aleancat politike, duke u ndalur vetëm përballë një tabu-je të madhe: bashkëpunimit midis ish-nazistëve dhe Shtetit të Izraelit.
Hetimi
Për një kohë të gjatë, kjo çështje u konsiderua si një legjendë e errët dhe e pamundur, e denjë për një thriller spiunazhi hollivudian, por pa prova të qëndrueshme historike.
Historiani izraelit Danny Orbach, profesor në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, është përpjekur së fundmi të hedhë dritë mbi një kapitull të fshehtë të Luftës së Ftohtë, duke u mbështetur në dokumente të deklasifikuara nga Mossadi dhe arkivat gjermane e amerikane. Në librin e tij të ri, “Fugitives: A History of Nazi Mercenaries During the Cold War” (C. Hurst & Co. Publishers), Orbach rindërton historitë e dhjetëra nazistëve që, pas vitit 1945, gjetën strehim në SHBA, Bashkimin Sovjetik, Spanjë, Itali, Siri dhe gjetkë.
Madje edhe Izraeli
Kriminelë lufte të shndërruar në agjentë sekretë nga demokracitë perëndimore, regjimi sovjetik dhe fuqitë aziatike. Ndërsa ishte e njohur se CIA, KGB-ja dhe shërbimet e Paktit të Varshavës kishin punësuar prej kohësh ish-hitlerianë, pjesa e hulumtimit që lidhet me Izraelin është veçanërisht tronditëse.
Orbach tregon se, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, edhe shteti i sapoformuar hebre, i rrethuar nga armiqësia e botës arabe, nuk hezitoi të rekrutonte ish-nazistë. Pikërisht mbi këtë aspekt të hetimit të tij historik u përqendruan pyetjet tona.
Çfarë do të thoshte të ishe nazist gjatë Luftës së Ftohtë?
Shumica e kriminelëve të luftës nazistë ishin të interesuar kryesisht për paratë dhe u shndërruan në tregtarë armësh, spiunë dhe agjentë sekretë. Disa punuan që herët për sovjetikët ose Gjermaninë Lindore, diçka që deri pak kohë më parë do të dukej e paimagjinueshme.
Për të tjerë, antikomunizmi mbizotëronte mbi gjithçka, ndaj bashkëpunimi me amerikanët dukej i natyrshëm. Ndërsa një grup tjetër, i fiksuar pas urrejtjes antihebraike, ëndërronte për një “Rajh të Katërt” dhe u afrua me botën arabe në konflikt me Izraelin.
Si i zbuloi nazistët e rekrutuar nga Izraeli?
Pothuajse rastësisht. Fillimisht kisha planifikuar të shkruaja një libër tjetër, për gjuetarët e nazistëve. Por gjatë kërkimeve, u zhytëm gjithnjë e më thellë në aktivitetet e të arratisurve nazistë, si në shërbimet e inteligjencës ashtu edhe në trafikun e armëve, dhe zbulova rolin e tyre të papritur në konfliktin midis Izraelit dhe botës arabe.
Pjesa më e madhe e kërkimit bazohet në dokumente arkivore të pabotuara më parë, të aksesueshme vetëm së fundmi nga CIA, BND-ja gjermane dhe Mossadi.
Sa ish-nazistë punuan për Mossadin?
Bazuar në hulumtimin tim, mund të konfirmoj të paktën katër raste të bashkëpunimit aktiv me shërbimet sekrete izraelite. Nuk përjashtohet që të ketë pasur edhe të tjerë.
Në atë kohë, Mossadi dhe shërbimet e tjera izraelite nuk ndryshonin shumë nga homologët perëndimorë: realizmi politik dhe oportunizmi shpesh mbizotëronin mbi konsideratat morale. Për më tepër, përmasat e plota të Holokaustit ende nuk kuptoheshin plotësisht.
Rasti Walter Rauff
Rasti më i diskutueshëm është ai i Walter Rauff, ish-oficer SS, i përfshirë në zhvillimin e dhomave të lëvizshme të gazit. Ai u arratis, gjeti strehim në Siri dhe më pas u përfshi në lojërat e inteligjencës së Lindjes së Mesme, përpara se të bashkëpunonte përkohësisht edhe me Izraelin.
Otto Skorzeny
Lista përfshin edhe Otto Skorzeny-n, njeriun që udhëhoqi misionin për lirimin e Benito Musolinit në Gran Sasso. Pas luftës, ai u shndërrua në mercenar dhe tregtar armësh. Në vitin 1960, Mossadi vendosi ta rekrutonte për sabotimin e programit raketor egjiptian, me miratimin e kryeministrit David Ben-Gurion.
A u bind Skorzeny nga paratë?
Jo. Sipas dokumenteve të brendshme të Mossadit, Skorzeny kërkoi vetëm të hiqej nga lista e të kërkuarve të Simon Wiesenthalit. Kërkesa u refuzua, por bashkëpunimi vazhdoi deri në vdekjen e tij nga kanceri në Spanjë, në vitin 1975.
Burimi: focus.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
