Në shkurt të vitit 1959, një nga enigmat më të errëta të shekullit XX u shënua në vargmalin verior të Uraleve. Nëntë alpinistë sovjetikë, të gjithë të rinj dhe me përvojë të konsiderueshme në ekspedita dimërore, humbën jetën në rrethana që edhe sot mbeten të pashpjeguara plotësisht.
Grupi, i udhëhequr nga studenti i inxhinierisë Igor Dyatlov, kishte ngritur kampin në shpatet e malit Kholat Syakhl, një emër nga gjuha e popullit Mansi që do të thotë “Mali i të Vdekurve”. Pas tragjedisë, zona u quajt Kalimi Dyatlov, në nder të udhëheqësit të ekspeditës.
Gjatë natës, për arsye ende të panjohura, alpinistët duket se u detyruan të largoheshin me nxitim nga çadrat e tyre. Ato u gjetën të çara nga brenda, çka sugjeron një arratisje të dëshpëruar. Anëtarët e grupit ikën drejt pyllit, të veshur në mënyrë të papërshtatshme për kushtet ekstreme të dimrit siberian, me temperatura nën zero dhe stuhi dëbore.
Trupat e tyre u gjetën të shpërndarë, disa me shenja dëmtimesh të rënda fizike, të tjerë pa plagë të dukshme, duke ushqyer për dekada me radhë teori të shumta: nga ortekët dhe fenomenet natyrore të rralla, te testet ushtarake sekrete apo shpjegime më fantastike.
Tragjedia e Kalimit Dyatlov mbetet edhe sot një nga misteret më të famshme të historisë moderne, një histori ku faktet e ftohta shkencore përplasen me frikën, heshtjen dhe imagjinatën njerëzore.
Përgatiti: L.Vezi
