Një histori frymëzuese i është shtuar shtëpisë së “Big Brother VIP Albania” me hyrjen e Stenaldo Mëhillit. 28-vjeçari nga Fieri ka prekur publikun me rrëfimin e tij personal, pasi ka humbur shikimin që në foshnjëri, vetëm tre muajsh, si pasojë e një infeksioni të rëndë.
Pavarësisht kësaj sfide, Stenaldo nuk është dorëzuar kurrë përballë jetës. Ai ka vazhduar të ndjekë pasionet e tij, duke u angazhuar në muzikë dhe gazetari, ndërsa më herët ka qenë edhe pjesë e spektaklit “The Voice”.
Pjesëmarrja në “Big Brother VIP” ka qenë një dëshirë e kahershme për të, një eksperiencë që e konsideron si një sfidë personale dhe njerëzore, për të cilën nuk gjeti arsye për të thënë jo.
Gjatë prezantimit, Kryemadhi u shpreh e emocionuar duke theksuar se Stenaldo përfaqëson një shembull të rrallë force dhe vetëpranimi. Sipas saj, ai do të jetë pjesë e formatit pa kërkuar favore apo trajtim të veçantë, duke sjellë një frymë të re në shtëpi.
“Njerëzit nuk dinë të falenderojne zotin për atë që kanë, po sa krenar është Stenaldo për atë që ka. Gjëja më e bukur është se ai do të jetë vetvetja pa ndihmën e asnjë servili që do t’i ofojë komoditete. Ai do të sjellë risi në format”, tha ajo e përlotur.
Banorët e tjerë e pritën me ngrohtësi Stenaldon, duke treguar solidaritet dhe gatishmëri për ta ndihmuar në çdo moment. Mes tyre, Brikena u dallua për afrimitetin që shfaqi që në minutat e para, duke u treguar e hapur për t’i krijuar një ambient sa më komod./mxh
