Carolyn Bessette-Kennedy ishte një nga figurat më të përfolura të viteve 1990 në SHBA. Ajo u bë e njohur si bashkëshortja e John F. Kennedy Jr., djali i presidentit të ndjerë John F. Kennedy. Së bashku, ata u konsideruan “çifti i artë” i Amerikës, deri në vdekjen e tyre tragjike në vitin 1999.
Edhe pse ishte një nga gratë më të fotografuara të kohës së saj, Carolyn mbeti një figurë misterioze. Ajo kurrë nuk dha një intervistë zyrtare. Ekzistojnë vetëm dy regjistrime shumë të shkurtra të zërit të saj. Ishte e bukur, elegante dhe gjithmonë në qendër të vëmendjes, por shumë pak dihej për jetën e saj private.
Nga një vajzë e zakonshme në ikonë mode
Carolyn lindi në vitin 1966 në White Plains, New Jork dhe u rrit në Greenwich, Connecticut. Në shkollë të mesme u votua si “vajza më i bukur”. Më vonë studioi në Universitetin e Bostonit dhe nisi punë si asistente shitjesh në markën e famshme Calvin Klein. Me kalimin e viteve ajo u bë drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun për këtë kompani në Nju Jork.
Stili i saj u bë legjendar. Ajo përfaqësonte atë që sot quhet “quiet luxury”, elegancë e thjeshtë, ngjyra neutrale, pa logo të dukshme, por me shumë finesë. Vishte shpesh këmisha të bardha, pallto të gjata të zeza, xhinse klasike dhe syze dielli të errëta. Ishte adhuruese e markave si Ralph Lauren dhe Prada. Edhe sot, shumë të rinj në rrjete sociale përpiqen të kopjojnë stilin e saj.
Një dashuri nën dritat e forta të medias
Nuk dihet saktësisht se si u njoh me John F. Kennedy Jr. në vitin 1994. Por lidhja e tyre u bë shpejt publike dhe mediat filluan t’i ndjekin kudo. John ishte mësuar me vëmendjen, pasi që nga fëmijëria ishte pjesë e familjes më të famshme politike në Amerikë. Ai shpesh quhej “Princi i Amerikës”.
Carolyn, përkundrazi, nuk ishte mësuar me këtë presion. Fotografët e ndiqnin çdo ditë. Ajo shpesh akuzohej si arrogante ose e ftohtë, por miqtë e saj thoshin se ishte e ndrojtur dhe e thjeshtë.
Çifti u martua në shtator 1996 në një ceremoni private në Georgia. Fustani i saj minimalist u bë një nga më të famshmit në historinë e modës së nusërisë.
Krahasimet me Princeshën Diana
Shumë media e krahasuan Carolyn me Dianën, Princeshën e Uellsit. Të dyja u martuan me burra shumë të famshëm dhe u përballën me ndjekje të vazhdueshme nga paparacët. Të dyja vdiqën tragjikisht në moshë të re.
Ashtu si Diana, edhe Carolyn përjetoi stres të madh nga fama. Thuhet se presioni ndikoi edhe në marrëdhënien e saj me Johnin, e cila herë pas here ishte e tensionuar.
Fundi tragjik dhe “mallkimi i Kennedy-ve”
Më 16 korrik 1999, avioni i vogël që drejtohej nga John u rrëzua në brigjet e Martha’s Vineyard. Në bord ishin John, Carolyn dhe motra e saj Lauren. Të tre humbën jetën. Carolyn ishte vetëm 33 vjeçe. Vdekja e tyre u lidh nga shumë njerëz me atë që quhet “mallkimi i familjes Kennedy”, pasi edhe anëtarë të tjerë të familjes kishin vdekur në rrethana tragjike, përfshirë presidentin John F. Kennedy dhe vëllain e tij Robert.
Pse vazhdon të magjepsë edhe sot?
Edhe pas më shumë se 25 vitesh, figura e Carolyn mbetet e fortë. Ajo përfaqëson një kohë para rrjeteve sociale, para telefonave inteligjentë, kur misteri ishte ende i mundur. Fakti që ajo kurrë nuk foli publikisht për veten e saj e ka shtuar kuriozitetin.
Së fundmi, producenti i njohur Ryan Murphy ka realizuar një dramë televizive për jetën e saj dhe të Johnit, duke rikthyer edhe një herë interesin për këtë çift legjendar.
Historia e Carolyn Bessette-Kennedy mbetet një përzierje e bukurisë, famës, presionit dhe tragjedisë. Ishte një jetë që nuk zgjati shumë, por që la gjurmë të thella në kulturën amerikane dhe në botën e modës./mxh
