Parisi, “Qyteti i Dashurisë”, po përjeton një rritje të ndjeshme të kërkesës për propozime martesore të organizuara në detaje, veçanërisht për Shën Valentin.
Nga brigjet e lumit Sena deri në tarracat me pamje nga Kulla Eiffel, një industri po lulëzon, duke ofruar paketa që variojnë nga disa qindra deri në dhjetëra mijëra euro.
Një prej agjencive që operon në segmentin luksoz është “Kiss Me in Paris”, e themeluar nga Cengiz Ozelsel dhe Chantelle Marie Streete. Ata organizojnë propozime të kuruara në hotele prestigjioze, në jahte mbi lumin Sena apo edhe në kështjella autentike franceze.
“Vetëm të thuash në rrethin tënd shoqëror: ‘U fejuam në Paris’, është diçka e madhe. Ka prestigj, ka vlerë simbolike. Përtej kësaj, Parisi është një qytet ku organizimi është relativisht i lehtë, sepse industria është shumë e zhvilluar. Çiftet mund ta planifikojnë gjithçka pa e vizituar më parë qytetin, sidomos kur kanë një ekspert lokal që kujdeset që çdo detaj të jetë ashtu siç e kanë imagjinuar”, tha Cengiz Ozelsel.
Sipas tij, propozimet ndahen në dy kategori kryesore: publike dhe private.
“Tek ato private, niveli përcaktohet nga buxheti. Me një buxhet më të ulët mund të zgjedhësh një varkë të thjeshtë në lumë ose një tarracë rezidenciale. Me një buxhet më të madh, mund të marrësh një jaht luksoz, një tarracë hoteli prestigjioz apo një sallë elegante. Ndërsa me një buxhet shumë të lartë, mund të mendosh edhe për një kështjellë”.
Klientët shpenzojnë mesatarisht rreth 10 mijë euro, ndërsa disa janë të gatshëm të investojnë deri në 100 mijë euro për një moment unik.
Rritja e interesit lidhet edhe me ndikimin e rrjeteve sociale dhe serialeve televizive si Emily in Paris, që kanë forcuar imazhin e kryeqytetit francez si destinacioni ideal për dashurinë. Por përtej shifrave dhe luksit, organizatorët theksojnë se thelbi mbetet emocioni.
“Më pëlqen jashtëzakonisht shumë kjo punë, sepse njerëzit po të ftojnë në një nga momentet më të veçanta të jetës së tyre. Ne e marrim këtë me shumë seriozitet dhe është një nder për ne. Më shumë se pagesa, e rëndësishme është që ata të largohen duke thënë: ‘Ishte e mrekullueshme, ishte e paharrueshme’”, tha Chantelle Marie Streete.
Në një qytet ku dashuria është kthyer në përjetim magjik, propozimi për martesë është një përvojë e kuruar deri në detaj./mxh
