Takimi i tyre mund të zhvillohet në Ditën e Shën Valentinit, por gjithçka tjetër pritet të jetë larg romantikës! Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet e të cilave janë më të ftohta se asnjëherë më parë, do të përballen muajin e ardhshëm në një ndeshje hokeji mbi akull.
Sipas programit zyrtar, një javë pas nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina në Itali, përfaqësuesja e Danimarkës, e njohur si “Luanët Danezë”, do të luajë kundër ekipit amerikan në një ndeshje të raundit paraprak, më 14 shkurt, në arenën e hokejit në Santagiulia të Milanos.
Marrëdhëniet dypalëshe diplomatike janë tensionuar deri në pikën e thyerjes nga përpjekjet agresive të Donald Trump për të marrë kontrollin e Groenlandës, territor gjysmë-autonom që i përket Mbretërisë së Danimarkës. Presidenti amerikan ka deklaruar se ishullin do ta marrë “një mënyrë ose një tjetër”.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e ka kritikuar ashpër atë që e quajti “presion krejtësisht të papranueshëm” nga SHBA-të, duke theksuar se “kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë dhe vendet e vogla nuk duhet të kenë frikë nga vendet e mëdha”.
Trump i ashpërsoi më tej qëndrimet gjatë fundjavës, duke kërcënuar me vendosjen e tarifave të reja ndaj tetë vendeve evropiane, përfshirë Danimarkën, nëse ato nuk do të hiqnin dorë nga kundërshtimet ndaj planeve të tij. Po ashtu, ai i tha kryeministrit të Norvegjisë se SHBA-ja kishte nevojë për “kontroll të plotë dhe total mbi Groenlandën”.
Dhjetëra mijëra qytetarë danezë, së bashku me grenlandezë, dolën të shtunën në protesta në mbarë mbretërinë kundër ambicieve territoriale të presidentit amerikan për ishullin arktik. Ata mbanin pankarta me mbishkrime si “Duart larg Groenlandës dhe “Groenlanda nuk është në shitje”.
Hokeji mbi akull, një sport i shpejtë dhe fizik, ku tensionet shpesh shpërthejnë, nuk është i panjohur për përballje me ngarkesë politike. Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 1980 shënuan të ashtuquajturin “Mrekullia mbi Akull”, kur një ekip i ri dhe kryesisht amator i SHBA-së mposhti Bashkimin Sovjetik, kampionin në fuqi me katër medalje ari radhazi.
Sporti dhe diplomacia janë përplasur shpesh, si në ndeshjen e famshme të polo-s në ujë mes Hungarisë dhe Bashkimit Sovjetik në Lojërat Olimpike të Melburnit më 1956, kur ekipi hungarez mori vesh për pushtimin e Budapestit nga tanket sovjetike.
Dy ekipet u takuan në gjysmëfinale, ku Hungaria fitoi 4-0 pas një ndeshjeje të dhunshme dhe të tensionuar, e shënuar nga goditje, gërvishtje dhe grushte nga të dyja palët. Pesë lojtarë u përjashtuan dhe takimi hyri në histori si ndeshja “Gjak në Ujë”.
Shtetet e Bashkuara kryesojnë renditjen botërore të hokejit mbi akull për vitin 2025 dhe konsiderohen ndër favoritët e turneut. Danimarka, e cila merr pjesë në garat olimpike të hokejit për meshkuj vetëm për herë të dytë, renditet e teta dhe shihet gjerësisht si skuadër më pak e favorizuar.
Rëndësia e turneut është rritur edhe nga përfshirja e lojtarëve të Ligës Kombëtare të Hokejit të Amerikës së Veriut (NHL) për herë të parë që nga viti 2014, çka do të thotë se shumë nga lojtarët më të mirë në botë, përfshirë disa danezë do të jenë pjesë e garës.
Hokejisti danez Nikolaj Ehlers, i cili luan për Carolina Hurricanes në NHL, e cilësoi pjesëmarrjen si “një moment krenarie” dhe tha se “do të jetë shumë argëtuese”. Ndërsa bashkëkombësi i tij, Mads Søgaard nga Ottaëa Senators, u shpreh se ishte “krenar të përfaqësonte vendin e tij”.
Ehlers shtoi se synimi i Danimarkës është “të bëjë gjithçka që mundet dhe të luftojë fort”, duke theksuar se “nëse e bëjmë këtë, gjërat e mira do të vijnë”. Asnjëri prej lojtarëve nuk komentoi për ndonjë ndjesi politike lidhur me përballjen ndaj SHBA-së./K.M
