Aktorja amerikane Daveigh Chase, e njohur për rolet e saj ikonike si zëri i Lilo në filmin e animuar Lilo & Stitch dhe personazhi i frikshëm Samara Morgan në The Ring, ka ndërruar jetë në moshë të re.
Sipas partnerit të saj, Roy Hernandez, Chase ndërroi jetë të martën si pasojë e meningjitit dhe një infeksioni në gjak, i cili shkaktoi komplikacione septike dhe çoi në dështimin e organeve. Ai bëri të ditur se aktorja ishte shtruar më herët gjatë këtij muaji në një spital në Los Anxhelos për shkak të kequshqyerjes.
Daveigh Chase u bë e famshme që në moshë të vogël, duke i dhënë zërin personazhit të Lilo në filmin e suksesshëm të Disney Lilo & Stitch (2002), si dhe në serialin e mëvonshëm televiziv. Ajo gjithashtu realizoi zërin e Chihiro Ogino në versionin anglisht të filmit të njohur japonez Spirited Away.
Publiku i filmave horror e kujton për interpretimin e saj si Samara Morgan në The Ring, rol për të cilin fitoi çmimin MTV Movie Award në kategorinë “Best Villain”.
Në vitin 2006, Chase iu bashkua kastit të serialit të HBO Big Love, ku interpretoi Rhonda Volmer në 32 episode përgjatë pesë sezoneve. Në karrierën e saj ajo u shfaq gjithashtu në filma dhe seriale si Donnie Darko, Beethoven’s 5th, Sabrina the Teenage Witch, ER dhe Mercy.
Gjatë viteve të fundit, jeta e saj personale u shoqërua edhe me disa probleme ligjore.
Lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka tronditur fansat dhe kolegët, të cilët po i bëjnë homazhe aktores që la gjurmë në industrinë e filmit që në fëmijëri./mxh
