Përdorimi i substancave që ndikojnë në tru mund të jetë shumë më i lashtë nga sa mendohej deri tani. Një studim i ri sugjeron se njerëzit mund të kenë përdorur arrat e betelit për efektet e tyre psikoaktive deri 25 mijë vjet më parë, në territorin e Indonezisë së sotme.
Studiues nga Universiteti Griffith në Australi kanë zbuluar modele të pazakonta në konsumimin e dhëmbëve të disa njerëzve të hershëm, të cilat i kanë lidhur me përtypjen ose thithjen e arrave të betelit.
Profesori Adam Brumm, i cili udhëhoqi kërkimin, tha se bëhet fjalë për atë që mund të jetë “dëshmia më e hershme për përdorimin e drogës kudo në botë”.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Science Advances, bazohet në mbetje të rralla skeletore të dy njerëzve të hershëm që jetonin si gjuetarë-mbledhës në ishullin Sulawesi të Indonezisë.
Njëri prej tyre daton nga 25 mijë deri në 16 mijë vjet më parë, ndërsa tjetri nga 7,600 deri në 6,300 vjet më parë.
Të dy individët kishin një model të pazakontë konsumimi të dhëmbëve, me brazda të thella dhe të rrumbullakëta.
Sipas studiuesve, këto gjurmë janë shkaktuar nga thithja e arrave të plota të betelit, duke ofruar një të dhënë të rëndësishme mbi mënyrën se si komunitetet e hershme mund t’i përdornin këto bimë.
Arrat e betelit janë farat e palmës Areca catechu. Kur konsumohen, ato mund të shkaktojnë një ndjesi të lehtë euforie dhe rritje të vigjilencës.
“Edhe pse është pak e njohur në shoqëritë perëndimore, ajo është substanca psikoaktive e katërt më e përdorur në botë, pas alkoolit, kafeinës dhe nikotinës”, tha Brumm.
Deri tani, shkencëtarët kanë menduar se përdorimi i substancave psikoaktive nisi pas zhvillimit të bujqësisë, ndërsa dëshmitë më të hershme përfshinin pijet alkoolike të fermentuara, rreth 13 mijë vjet më parë.
Por studiuesit argumentojnë se kjo teori mund të mos e shpjegojë historinë e plotë të përdorimit të substancave psikoaktive.
Sipas Brumm, ideja se përdorimi i drogës nisi vetëm pas shfaqjes së bujqësisë “nuk merr parasysh mundësinë që përdorimi shumë i lashtë i substancave psikoaktive të jetë në rrënjët e substancave që përdorim më së shumti sot”.
“Duke identifikuar praktikën e lashtë që qëndron pas përtypjes së arrave të betelit, siç e njohim sot, studimi sugjeron se disa sjellje moderne të përdorimit të substancave janë thellësisht të rrënjosura në traditat e gjuetarëve-mbledhës”, tha ai.
Në kohët moderne, arrat e betelit konsumohen zakonisht duke përzier farën e përpunuar me gëlqere të shuar dhe përbërës të tjerë, duke krijuar një masë të njohur si “quid”, e cila më pas përtypet.
Kjo praktikë është e përhapur në Azinë Jugore dhe Azinë Juglindore, ku sipas studiuesve arrat e betelit përtypen nga rreth një e dhjeta e popullsisë së botës.
Për të kuptuar më mirë efektet e praktikës së lashtë, studiuesit kryen eksperimente duke zhytur arrat e betelit në pështymë artificiale.
Rezultatet treguan se edhe thjesht thithja e arrave të plota mund të çlironte mjaftueshëm përbërës psikoaktivë për të ndikuar në funksionimin e trurit.
Efektet e thithjes së arrave të betelit në të kaluarën mund të kenë qenë më të dobëta krahasuar me përtypjen moderne të “quid”-it. Megjithatë, studiuesit sugjerojnë se praktika ishte mjaft e shpeshtë dhe e rëndësishme për të shkaktuar edhe sëmundje të rënda të mishrave të dhëmbëve.
Zbulimi në Sulawesi hap një perspektivë të re mbi historinë e përdorimit të substancave psikoaktive dhe sugjeron se marrëdhënia e njerëzimit me substancat që ndryshojnë gjendjen e trurit mund të ketë nisur mijëra vjet përpara shfaqjes së qytetërimeve të para bujqësore./et

