Modelja dhe aktorja britanike Annabel Schofield është ndarë nga jeta në moshën 62-vjeçare, pas një beteje me kancerin në tru.
Sipas raportimeve të The Hollywood Reporter, ajo ndërroi jetë më 28 shkurt në Los Angeles, ku ishte shtruar së fundmi për trajtim. Schofield kishte bërë publike gjendjen e saj shëndetësore përmes një faqeje në GoFundMe, ku informonte ndjekësit për përballjen me sëmundjen. Në një nga përditësimet e fundit, më 18 janar, ajo kishte treguar se i ishte nënshtruar një operacioni urgjent për heqjen e tumorit në tru.
Annabel Schofield lindi më 4 shtator 1963 në Llanelli të Uellsit. Ajo ishte vajza e producentit britanik John D. Schofield, i cili ishte përfshirë në prodhimin e filmave të njohur si Jerry Maguire dhe As Good as It Gets. Më vonë u zhvendos në Londër, ku nisi karrierën si modele dhe arriti të shfaqej në kopertinat e disa prej revistave më prestigjioze të modës, përfshirë Vogue Germany dhe Vogue Italia.
Gjatë viteve të saj në industrinë e modës, Schofield bashkëpunoi me shtëpi të njohura si Yves Saint Laurent dhe Versace, si edhe me marka të mëdha kozmetike. Në fund të viteve ’80 ajo u bë veçanërisht e njohur për një reklamë të markës Bugle Boy Jeans.
Më pas, pas zhvendosjes në Shtetet e Bashkuara, ajo iu përkushtua aktrimit. Schofield u shfaq në sezonin e 11-të të serialit të famshëm Dallas, ku luajti përkrah aktorit Larry Hagman. Ajo pati role edhe në filma si Eye of the Widow dhe kontribuoi prapa kamerave në projekte filmike si The Brothers Grimm, Doom dhe City of Ember.
Në vitet e mëvonshme, Schofield themeloi kompaninë e saj të produksionit, Bella Bene Productions. Në vitin 2013 ajo publikoi edhe romanin The Cherry Alignment, një histori e frymëzuar nga përvojat e saj në botën e modës dhe të kinemasë gjatë viteve ’80./mxh
