Last Updated on 26/06/2026 by Kesjana
Një ekip arkeologësh ka zbuluar një qytet të panjohur më parë të qytetërimit maja, të fshehur thellë në rezervatin natyror Calakmul në Meksikë dhe të mbuluar nga xhungla për më shumë se një mijëvjeçar. Vendbanimi i lashtë, i quajtur Minanbé, është ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe konsiderohet një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të viteve të fundit në rajon. Zbulimi u bë nga një ekip i përbashkët meksikano-slloven i drejtuar nga arkeologu Ivan Šprajc, pas gati 30 vitesh kërkime në Rrafshnaltat Qendrore Maya. Studiuesit përdorën teknologjinë LiDAR dhe studime në terren për të identifikuar strukturat e fshehura nën kurorën e dendur të pyllit.
Për të arritur në vendin e zbulimit, ekspedita hapi një shteg pesë kilometra të gjatë nëpër xhungël, përpara se të vazhdonte me automjete të posaçme dhe më pas në këmbë. Pas mbërritjes, arkeologët konfirmuan se qyteti shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh. Në Minanbé janë identifikuar sheshe publike, ndërtesa ceremoniale, pallate, tarraca dhe një sistem i avancuar i menaxhimit të ujit me ligatina dhe kanale hidraulike. Emri i qytetit do të thotë “nuk ka shteg” në gjuhën maja të Jukatekëve, duke iu referuar izolimit të tij të plotë. Sipas drejtuesit të ekspeditës, qyteti ishte pothuajse i paprekur nga plaçkitjet, një gjë e rrallë për vendet arkeologjike të këtij lloji.
Një nga strukturat më mbresëlënëse është një tempull piramidal mbi 13 metra i lartë, i ndërtuar sipas stilit arkitektonik Río Bec, me punime të detajuara në gur, shkallë të pjerrëta dhe elemente dekorative. Pranë tij u zbulua edhe një stelë e gdhendur në gjendje shumë të mirë ruajtjeje. Ekipi dokumentoi gjithsej 14 monumente, përfshirë altarë dhe kolona me mbishkrime hieroglifike. Një prej tyre paraqet një figurë që mban një armë mbi një rob në një skenë të prerjes së kokës, ndërsa një tjetër përshkruan një sundimtar të stolisur me pupla dhe veshje ceremoniale.
Analiza e mbishkrimeve tregoi se disa prej monumenteve datojnë në vitin 849 pas Krishtit, në periudhën e vonë klasike të qytetërimit maja, pak para braktisjes së shumë qyteteve të mëdha në shekullin e 10-të. Një monument tjetër mund të jetë edhe më i hershëm, duke datuar nga fundi i shekullit të shtatë. Sipas studiuesve, zbulimi i Minanbés ofron të dhëna të reja për organizimin politik, arkitekturën dhe jetën e qytetërimit maja, ndërsa njëkohësisht ngre pyetje të reja për migrimet dhe transformimet që shoqëruan rënien e këtij civilizimi të lashtë./kb
