Presidenti amerikan Donald Trump është përplasur me një gazetare të Bloomberg-ut, gjatë një deklarate për mediat, pasi ajo e ndërpreu teksa ai po përgjigjej mbi një pyetje në lidhje me Tucker Carlson.
Ngjarja ndodhi jashtë bordit të Air Force One dhe u transmetua drejtpërdrejt në Fox News.
Gazetarja ndërhyri në mes të fjalës së tij, çka bëri që Trump të ndalte deklaratën dhe t’i drejtohej ashpër. Ai e qortoi duke i kërkuar të mos e ndërpriste.
“Do të më lejosh të përfundoj deklaratën? Je më e keqja,” u shpreh Trump me nervozizëm. “Je me Bloomberg, apo jo? Je më e keqja. Nuk e di pse të kanë,” shtoi ai.
Identiteti i gazetares nuk ishte menjëherë i qartë. Por ky nuk ishte incidenti i vetëm i Trump-it me gazetarët.
Ajo shkroi se Trump, të premten, i tha një gazetare të Bloomberg: “Hesht, hesht, derrkuc,” pasi gazetarja e pyeti “pse, nëse nuk ka asgjë komprometuese në dosje, po sillet sikur ka,” sipas fjalëve të Jacobs.
Pasi u ndërpre të dielën, Trump vazhdoi përgjigjen e tij për intervistën e Carlson me Fuentes.
“Kemi pasur disa intervista të shkëlqyera me Tucker Carlson, por nuk mund t’i thuash se kë të intervistojë,” tha Trump. “Nëse ai dëshiron të intervistojë Nick Fuentes, nuk di shumë për të, por nëse dëshiron ta bëjë, le ta përhapë fjalën. E dini, njerëzit duhet të vendosin, në fund të fundit njerëzit duhet të vendosin.”
Carlson, ish-prezantues i Fox News që tani drejton podcast-in e tij, është përballur me kritika pas intervistës që bëri disa javë më parë me Fuentes, një aktivist që mohon Holokaustin dhe përdor vazhdimisht fjalë raciste./ K.M
