Shefi i kabinetit të presidentit argjentinas Javier Milei dhe një nga aleatët e tij më të afërt, Manuel Adorni, ka njoftuar dorëheqjen të shtunën, pas një skandali korrupsioni.
Në letrën e dorëheqjes, të publikuar në rrjetet sociale, Adorni i shkroi Mileit: “Për herë të parë që nga 10 dhjetori 2023, po veproj kundër dëshirës suaj. Faleminderit që gjithmonë më besuat dhe që më mbështetët gjatë këtij procesi të padrejtë, të dhimbshëm dhe rraskapitës për mua dhe familjen time.”
46-vjeçari është përfshirë në një hetim për stilin e tij luksoz të jetesës, përfshirë pushime të shtrenjta familjare dhe blerje pronash që dyshohet se tejkalojnë të ardhurat e tij zyrtare.
Për javë të tëra, Adorni mohoi çdo shkelje ligjore.
Megjithatë, dy javë më parë ai pranoi se kishte fshehur rreth 500 mijë dollarë kursime nga autoritetet tatimore. Ai këmbëngul se paratë vijnë nga kursime dhe investime të krijuara vite përpara se të hynte në shërbimin publik.
Adorni ishte një nga figurat kryesore të fushatës kundër korrupsionit të nisur nga Milei pas ardhjes në pushtet në vitin 2023, fillimisht si zëdhënës presidencial. Tashmë, akuzat për pasurim të paligjshëm kanë dëmtuar imazhin e qeverisë dhe kanë vënë në pikëpyetje premtimet e saj për transparencë.
Hetuesit po shqyrtojnë dyshimet për pasurim të pajustifikuar, pikërisht për praktika që Milei dhe vetë Adorni i kishin kritikuar vazhdimisht te opozita e majtë populiste.
Pavarësisht skandalit, Presidenti Milei ka vazhduar ta mbështesë publikisht bashkëpunëtorin e tij.
“Manuel është i pafajshëm. Unë i mbështes ministrat e mi deri në fund”, deklaroi Milei gjatë një vizite në Spanjë javën e kaluar. /kb
