Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi, deklaroi se aktualisht nuk ka asnjë tregues që objektet bërthamore të Iranit të jenë dëmtuar nga sulmet e fundit ushtarake të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Në një konferencë për shtyp, Grossi theksoi se vlerësimi i agjencisë mbetet i pandryshuar dhe se, deri më tani, nuk është konstatuar asgjë e krahasueshme me sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane që ndodhën në muajin qershor.
Deklarata e tij vjen pasi ambasadori i Iranit pranë Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Reza Najafi, bëri të ditur më herët se një objekt bërthamor në Natanz ishte sulmuar. Sipas Grossit, komunikimi teknik me Iranin vazhdon përmes qendrës së incidenteve dhe emergjencave të agjencisë, që merret me monitorimin e situatave radiologjike dhe niveleve në atmosferë.
Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për ndërprerje të marrëdhënieve me Teheranin, duke shtuar se mban kontakte të rregullta dhe korrekte me përfaqësuesit iranianë. Megjithatë, Grossi pranoi se komunikimi aktualisht është i kufizuar, ndërsa deri të enjten e kaluar kishte qenë intensiv.
I pyetur nëse ekziston vullnet për rikthimin e dialogut diplomatik, kreu i agjencisë u shpreh se ka shenja se palët e kuptojnë nevojën për bisedime në një moment të caktuar. Ai përmendi deklaratat e presidentit amerikan dhe ministrit të Jashtëm iranian, duke nënvizuar se, ndonëse situata aktuale është e dominuar nga operacione ushtarake, ekziston një pranim se dialogu do të jetë i domosdoshëm.
Grossi theksoi se agjencia që ai drejton është e gatshme të ndihmojë nëse i kërkohet një rol në procesin e mundshëm diplomatik./mxh
