Last Updated on 27/02/2026 by Anisa
Skerdi Tushi është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Antikorrupsionit. Vendimi u miratua ditën e sotme gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, duke vulosur kështu ndryshimin në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit në vend.
Tushi zëvendëson në këtë detyrë Insidor Rexhepin, i cili drejtoi DPAK që prej nëntorit të vitit 2024. Me miratimin dhe “bekimin” e kryeministrit, emërimi i ri shënon një etapë të re për Drejtorinë e Antikorrupsionit, e cila u ngrit më 26 qershor 2024 dhe shtrihet me koordinatorë në 26 institucione kyçe.
Nga sot, Skerdi Tushi merr zyrtarisht drejtimin e institucionit që ka për mision parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në administratën shtetërore, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.
Drejtoria e Antikorrupsionit konsiderohet një hallkë thelbësore në arkitekturën e re institucionale për rritjen e transparencës dhe forcimin e integritetit në sektorin publik.
Ndërkohë, Insidor Rexhepi, i emëruar në nëntor 2024, udhëhoqi këtë drejtori përgjatë periudhës së konsolidimit të saj institucional, duke vendosur bazat e funksionimit dhe koordinimit me institucionet përkatëse.
