Last Updated on 30/05/2026 by Anisa
Në një kohë kur institucioni i Prefektit shpesh është parë si një funksion formal, i kufizuar më shumë te titulli sesa te veprimi konkret, Prefektja e Vlorës, Evis Allushi, ka zgjedhur një tjetër qasje. E pranishme vazhdimisht në terren, pranë qytetarëve dhe problematikave të përditshme, ajo ka krijuar profilin e një prefekteje aktive, që e sheh detyrën përtej zyrës dhe protokollit.
Nga emergjencat te koordinimi institucional, nga shqetësimet e komunitetit te ndjekja e investimeve në qark, Allushi thotë se besimi te institucionet fitohet vetëm kur qytetarët ndjejnë praninë reale të shtetit. Në këtë intervistë, ajo flet për sfidat e detyrës, raportin me institucionet lokale dhe Vlorën që, sipas saj, kërkon më shumë reagim dhe më pak burokraci.
Intervista:
Zonja Allushi, institucioni i Prefektit është parë shpesh si formal dhe pa shumë ndikim real. Pse te ju duket ndryshe?
Institucioni i Prefektit ka një rol shumë të rëndësishëm në koordinimin e institucioneve dhe përfaqësimin e shtetit në territor. Ndoshta shpesh është perceptuar si formal, por unë besoj se ndikimi real vjen nga mënyra si e ushtron detyrën: me prani në terren, komunikim dhe reagim konkret ndaj problematikave.
Ju jeni ndër të paktat prefekte që shiheni vazhdimisht në terren. A mendoni se prefekti duhet të jetë më shumë “në zyrë” apo mes njerëzve?
Besoj se një prefekt nuk mund të kufizohet vetëm në zyrë. Dokumentet dhe procedurat janë të rëndësishme, por realiteti kuptohet vetëm mes njerëzve, në komunitet, aty ku lindin problemet dhe kërkohen zgjidhjet. Kam qenë në terren gjatë përmbytjeve, në ndjekje të investimeve të qeverisë, për shqetësime të qytetarëve apo edhe në veprimtari kulturore në bashkitë e qarkut të Vlorës.
Ku fillon dhe ku mbaron fuqia reale e Prefektit? A ka kompetenca të mjaftueshme ky institucion sot?
Prefekti ka rol koordinues, mbikëqyrës për ligjshmërinë dhe përfaqësues të qeverisë në qark. Sigurisht që ka kufizime ligjore, por edhe brenda këtyre kompetencave mund të bëhet shumë nëse ka vullnet dhe bashkëpunim institucional. Unë punoj çdo ditë për të ushtruar kompetencat e Prefektit në shërbim të forcimit të pranisë dhe kontrollit të shtetit në territor.
Në shumë raste qytetarët drejtohen te Prefektura për probleme që i takojnë Bashkisë. A tregon kjo mungesë besimi te pushteti vendor?
Qytetarët kërkojnë zgjidhje dhe i drejtohen institucionit që besojnë se do t’i dëgjojë. Nuk do ta quaja mungesë besimi te pushteti vendor, por nevojë për më shumë koordinim dhe komunikim mes institucioneve. Çdo ditë shtohet numri i qytetarëve që besojnë se do të dëgjohen në Prefekturë dhe shqetësimet e tyre kthehen në kërkesa zyrtare për informacion drejtuar institucioneve përkatëse.
Ju vini nga politika lokale dhe njihni mirë funksionimin e institucioneve në Vlorë. A ju ndihmon kjo sot si Prefekte apo ju vendos më shpesh përballë përplasjeve institucionale?
Përvoja në politikën lokale më ndihmon të njoh më mirë territorin, institucionet dhe problematikat e qarkut. Kjo ndihmon në punë, edhe pse ndonjëherë kërkon ruajtjen me shumë kujdes të balancës institucionale.
A ka pasur raste kur ju është dashur të ndërhyni për të zhbllokuar mungesën e koordinimit mes institucioneve lokale?
Po, ka pasur raste kur është dashur ndërhyrje për të koordinuar institucione të ndryshme, sidomos në situata emergjente apo çështje që kërkonin reagim të shpejtë. Në këto raste, roli i Prefektit është i domosdoshëm.
Në opinionin publik është krijuar ideja se Prefektura po bëhet më aktive se zakonisht. Është kjo mënyra juaj personale e të punuarit apo mendoni se roli i Prefektit duhet ripërcaktuar?
Është mënyra ime e të punuarit, por njëkohësisht besoj se edhe vetë roli i Prefektit duhet të jetë më aktiv dhe më pranë qytetarëve. Institucionet fitojnë besim kur janë të dukshme dhe funksionale. Këtë metodë pune ia kam bërë të qartë stafit që në ditën e parë dhe gjej rastin t’i falënderoj për mbështetjen që më japin çdo ditë.
Sa e vështirë është të ruash balancën mes rolit politik që keni pasur më parë dhe detyrës institucionale si përfaqësuese e shtetit në qark?
Është një përgjegjësi që kërkon kujdes. Sot unë përfaqësoj shtetin dhe ligjin, ndaj çdo vendimmarrje duhet të jetë institucionale dhe në interes të qytetarëve, përtej çdo përkatësie politike.
Ka zëra që ju konsiderojnë si një “zë kritik” ndaj mënyrës si menaxhohen disa çështje në Vlorë. E ndjeni veten komode në këtë rol?
Nuk e shoh veten si zë kritik për hir të kritikës. Kur ka problematika që ndikojnë qytetarët, është detyrë institucionale t’i ngresh dhe të kërkosh zgjidhje. Gjithsecili prej nesh është në funksione publike për t’u shërbyer qytetarëve dhe jo interesit personal.
A mendoni se institucionet lokale në Vlorë bashkëpunojnë realisht me njëra-tjetrën, apo ka rivalitete që pengojnë punën?
Ka bashkëpunim, por si në çdo strukturë të madhe institucionale ka edhe raste kur ritmet apo prioritetet nuk përputhen. E rëndësishme është që interesi publik të vendoset mbi çdo rivalitet.
Në cilat raste Prefekti duhet të reagojë publikisht dhe kur duhet të qëndrojë në heshtje institucionale?
Prefekti duhet të reagojë publikisht kur preket interesi i qytetarëve, ligjshmëria apo situata që kërkojnë transparencë. Ndërsa heshtja institucionale është e nevojshme kur zgjidhjet kërkojnë punë teknike dhe jo debat publik
A ju ka ndodhur ndonjëherë të ndjeni rezistencë nga institucione të tjera për shkak të angazhimit tuaj në terren?
Angazhimi në terren ndonjëherë krijon rezistencë, sepse kërkon reagim dhe përgjegjësi më të shpejtë nga të gjitha hallkat. Por unë besoj se qytetarët presin pikërisht këtë.
Si e përkufizoni ju një prefekt të suksesshëm: si administrator, si ndërmjetës mes institucioneve apo si zë i qytetarëve?
Një prefekt i suksesshëm duhet të jetë administrator korrekt, koordinues efektiv mes institucioneve dhe njëkohësisht një derë e hapur për qytetarët.
Çfarë problemi ka sot Vlora që sipas jush kërkon më shumë vëmendje nga shteti qendror?
Vlora ka potencial të jashtëzakonshëm, por ka nevojë për më shumë investime në infrastrukturë, menaxhim territori, ujësjellës, mbrojtje mjedisi dhe koordinim më të fortë për zhvillimin urban e turistik.
A mendoni se qytetarët e Vlorës sot kërkojnë më shumë reagim konkret sesa deklarata politike?
Pa diskutim. Qytetarët sot kërkojnë zgjidhje konkrete, reagim të shpejtë dhe institucione që funksionojnë, jo vetëm deklarata. Kush nga drejtuesit e institucioneve nuk e kupton këtë, nuk duhet të qëndrojë më në detyrën që i është ngarkuar.
Në shumë dalje publike ju jeni parë pranë qytetarëve në situata problematike. Sa e rëndësishme është prania fizike e shtetit në momente krize?
Prania fizike e shtetit në momentet problematike është shumë e rëndësishme. Qytetarët duhet të ndjejnë se institucionet janë pranë tyre jo vetëm në letra, por edhe në terren. Shqetësimet e tyre duhet të dëgjohen dhe të adresohen për zgjidhje, sepse kjo është arsyeja pse ne jemi zgjedhur për të drejtuar.
Ka perceptim publik se ju keni krijuar një profil më të fortë se vetë institucioni i Prefektit. Është kjo përgjegjësi apo presion shtesë?
Është më shumë përgjegjësi sesa privilegj. Nëse krijohet besim te figura e Prefektit, kjo duhet të shërbejë për të forcuar vetë institucionin. Mendoj se integriteti personal i jep integritet edhe institucionit që drejton dhe kjo e lehtëson më shumë punën.
A ndiheni ndonjëherë mes dy zjarreve: pritshmërive të qytetarëve dhe kufijve që vendos burokracia shtetërore?
Po, ndodh shpesh. Qytetarët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, ndërsa procedurat burokratike kanë ritmet e tyre. Sfida është të mos humbasësh as korrektësinë institucionale dhe as kontaktin me njerëzit.
Nëse do të kishit mundësi të ndryshonit një gjë në funksionimin e administratës lokale në Vlorë, cila do të ishte?
Do të doja më shumë koordinim institucional dhe më pak burokraci. Shpesh zgjidhjet vonohen jo nga mungesa e mundësive, por nga mungesa e bashkërendimit.
Çfarë doni të lërë pas mandati juaj si Prefekte e Vlorës: një figurë politike aktive apo një institucion më të fortë dhe më pranë qytetarëve?
Do të doja të lija pas një institucion më të hapur, më funksional dhe më pranë qytetarëve. Funksionet kalojnë, por besimi te institucioni duhet të mbetet dhe prefektura duhet ta meritojë këtë besim.
www.fjala.al
