Autoritetet iraniane të sigurisë kanë arrestuar me dhunë fituesen e Çmimit Nobel për Paqen dhe aktivisten për të drejtat e grave, Narges Mohammadi, njofton fondacioni i saj. Ajo, 53 vjeç, u ndalua në qytetin lindor të Mashhadit, së bashku me aktivistë të tjerë.
Komiteti Nobel u shpreh “thellësisht i shqetësuar” për arrestimin brutal të Mohammadit dhe bëri thirrje që autoritetet të sqarojnë menjëherë vendndodhjen e saj, të sigurojnë sigurinë dhe integritetin e saj, dhe ta lirojnë pa kushte. Deri më tani, Irani nuk ka komentuar.
Mohammadi u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në 2023 për aktivizmin e saj kundër shtypjes së grave dhe për promovimin e të drejtave të njeriut. Në dhjetor 2024, ajo ishte liruar përkohësisht për tre javë për arsye shëndetësore, pas një kohe të gjatë në burgun famëkeq Evin në Teheran, ku po vuante disa dënime.
Sipas raporteve, arrestimi i fundit ndodhi gjatë pjesëmarrjes së saj në një ceremoni përkujtimore për Khosrow Alikordin, një avokat që u gjet i vdekur në zyrën e tij javën e kaluar. Grupi Iran Human Rights nga Norvegjia kishte kërkuar një hetim të pavarur për të sqaruar rrethanat e vdekjes së tij, duke i konsideruar ato “të dyshimta”.
Në ceremoni, disa aktivistë u arrestuan gjithashtu, ndërsa raportohet se brohoritën parulla si “vdekje diktatorit” dhe “rroftë Irani”.
Taghi Rahmani, burri i Mohammadit, i tha BBC Persian: “E arrestuan Narges dhunshëm. Vëllai i avokatit ishte dëshmitar i arrestimit të saj në përkujtimore. Ky veprim shkel ligjet e të drejtave të njeriut dhe duket si hakmarrje. Situata është shqetësuese pasi shtypja nga autoritetet ka intensifikuar kohët e fundit.”/mxh
