Irani do të afrohet me kujdes të shtuar në bisedimet e paqes me SHBA-në për shkak të mungesës së thellë të besimit, dhe lufta do të ndikojë në regjimin ligjor të ardhshëm të ngushticës së Hormuz, tha të mërkurën (8 prill) ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Ali Bahreini.
SHBA dhe Irani ranë dakord për një armëpushim dy-javor të ndërmjetësuar nga Pakistani, duke pezulluar një konflikt gjashtë-javor që ka shkaktuar mijëra viktima, ka përhapur destabilizim në Lindjen e Mesme dhe ka krijuar ndërprerje të paprecedentë në furnizimet botërore të energjisë.
Presidenti Donald Trump njoftoi marrëveshjen vonë të martën, vetëm dy orë para afatit që kishte vendosur për Iranin për të hapur ngushticën e bllokuar të Hormuzit, ndryshe kërcënoi me shkatërrimin e “gjithë civilizimit” të tij.
“Ne nuk po vendosim asnjë besim te pala tjetër. Forcat tona ushtarake janë në gatishmëri… por ndërkohë do të hyjmë në negociata për të parë sa serioze është pala tjetër,” tha Bahreini për Reuters.
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, tha se kishte ftuar delegacionet iraniane dhe amerikane të takohen në Islamabad të premten (10 prill) për bisedimet e para zyrtare të paqes që nga fillimi i luftës, dhe se presidenti iranian kishte konfirmuar pjesëmarrjen e Teheranit.
Bisedimet e mëparshme bërthamore në Gjenevë në fund të shkurtit patën disa përparime, por pa arritur një marrëveshje përfundimtare, dhe priteshin të rifillonin javën pasuese në Vjenë, para se SHBA dhe Izraeli të nisnin sulmet e përbashkëta ndaj Iranit dy ditë më vonë.
“Për këtë arsye, gjithçka tani është e përkohshme. Edhe marrëveshjet për ngushticën e Hormuzit janë të përkohshme,” tha Bahreini.
Kalimi i anijeve përmes ngushticës pas armëpushimit dy-javor do të varet nga progresi i negociatave me SHBA-në dhe bisedimeve mes Iranit dhe Omanit. Gjatë këtyre dy javëve, situata nuk do të jetë normale si më parë; anijet duhet të deklarojnë emrin, pronarin dhe detajet e ngarkesës.
Një zyrtar i lartë iranian i përfshirë në bisedime tha për Reuters se ngushtica mund të hapet në mënyrë të kufizuar të enjten ose të premten, në koordinim me ushtrinë iraniane, para bisedimeve në Islamabad.
Irani kërkon sigurime që ngushtica nuk do të përdoret nga kundërshtarët e tij për të sulmuar Teheranin. “Kjo luftë ka prekur gjithçka, dhe një nga gjërat që do të ndikojë është regjimi ligjor i ngushticës së Hormuzit, por detajet do të diskutohen dhe vendosen në të ardhmen,” tha Bahreini.
Ambasadori gjithashtu bëri thirrje që Izraeli të respektojë armëpushimin në Liban, duke paralajmëruar se sulmet e mëtejshme do të komplikonin situatën dhe do të kishin “pasoja të caktuara”. Ai vlerësoi se armëpushimi ishte një fitore për Iranin, dhe se SHBA dhe Izraeli kishin nënvlerësuar fuqinë e reagimit iranian./mxh
