Një zëdhënës i ushtrisë iraniane ka përjashtuar çdo mundësi marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara, në kulmin e tensioneve të forta në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë të publikuar me video, Ebrahim Zolfaqari, përfaqësues i shtabit qendror Khatam al-Anbiya Central Headquarters, akuzoi SHBA-të se “po negociojnë me vetveten” dhe jo me Iranin.
Deklarata vjen një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se Teherani dëshiron një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në rajon.
Zolfaqari theksoi se Irani nuk do të pranojë asnjë kompromis me Uashingtonin, duke shtuar se stabiliteti në rajon, sipas tij, garantohet nga forcat e armatosura iraniane.
Ai paralajmëroi gjithashtu se investimet amerikane në rajon dhe çmimet e mëparshme të energjisë nuk do të rikthehen, derisa SHBA të ndryshojë qasjen ndaj Iranit.
Ndërkohë, lufta në Lindjen e Mesme vijon prej katër javësh, me mijëra viktima dhe pasoja të rënda në ekonominë globale, përfshirë rritjen e çmimeve të energjisë dhe frikën për inflacion të lartë.
Sulmet ajrore mes Iranit dhe Izraelit kanë vazhduar edhe gjatë ditës së fundit, pa shenja të një uljeje të tensioneve, duke rritur shqetësimin për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit./mxh
