Irani e ka lënë të hapur datën për zhvillimin e raundit të ardhshëm të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas përshkallëzimit të fundit ushtarak në rajonin e Gjirit.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi tha se takimi i radhës do të zhvillohet sapo të krijohen kushtet dhe të arrihet marrëveshje për datën dhe vendin.
Ai shtoi se, këtë javë nuk janë planifikuar takime të grupeve teknike të punës, por kontaktet do të vazhdojnë përmes ndërmjetësve.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ka kërkuar një takim, i cili sipas tij do të mbahet nesër në Doha të Katarit. Megjithatë, ai nuk dha detaje për objektivin e bisedimeve.
Sipas burimeve amerikane, Uashingtoni dhe Teherani ranë dakord dje për pezullimin e përkohshëm të sulmeve ndaj njëri-tjetrit, në mosmarrëveshjen për Ngushticën e Hormuzit dhe të vazhdojnë negociatat.
Mosmarrëveshja lidhet me interpretimin e marrëveshjes kornizë, të arritur rreth dy javë më parë, për t’i dhënë fund konfliktit, veçanërisht mbi administrimin e Ngushticës së Hormuzit.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi deklaroi se brenda 30 ditëve, ngushtica do t’i rikthehet administrimit të plotë iranian, duke këmbëngulur se përgjegjësia për të i takon vetëm Iranit.
Uashingtoni e kundërshton këtë interpretim, duke argumentuar se bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare detare.
Ndërkohë, Gharibabadi zhvilloi bisedime në Oman me diplomatin oman Abdulaziz Al Hinai, ku u diskutuan çështjet aktuale që lidhen me Ngushticën e Hormuzit, administrimi i saj në të ardhmen dhe të drejtat sovrane të shteteve bregdetare.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian mbrojti marrëveshjen kornizë me SHBA-në, duke e cilësuar atë “një fitore të madhe për popullin iranian”.
Sipas tij, heqja e sanksioneve ndaj sektorit të naftës dhe zhbllokimi i aseteve të ngrira përbëjnë sukseset kryesore të negociatave./mxh
