Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen, teksa Islamic Revolutionary Guard Corps ka paralajmëruar se rajoni mund të kthehet në “ferr” nëse vazhdon presioni nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Deklarata erdhi nga zëdhënësi Ebrahim Zolfaqari, i cili theksoi se në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm, pasojat do të jenë të rënda për interesat amerikane dhe izraelite në rajon. Sipas tij, Irani ka goditur tashmë disa objektiva me dronë dhe raketa, duke rritur ndjeshëm tensionin ushtarak.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar presionin ndaj Teheranit, duke kërkuar një marrëveshje të shpejtë për t’i dhënë fund konfliktit. Në një postim në rrjetin social Truth Social, ai paralajmëroi se afati po mbaron dhe i la Iranit vetëm 48 orë kohë për të vepruar.
Trump kërkon që Irani të hapë Ngushticën strategjike të Strait of Hormuz, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës, duke kërcënuar në të kundërt me sulme ndaj infrastrukturës energjetike.
Mesazhet e tij kanë qenë të paqëndrueshme, duke luhatur mes sinjaleve për zgjidhje diplomatike dhe kërcënimeve të forta ushtarake ndaj Republikës Islamike.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet që mund të kenë pasoja të gjera për sigurinë globale dhe tregjet energjetike./mxh
