Forcat e armatosura të Iranit paralajmëruan të enjten (19 mars) se çdo sulm tjetër ndaj infrastrukturës energjetike të vendit do të sjellë një hakmarrje “shumë më të fortë”, sipas një deklarate të transmetuar në televizion nga zëdhënësi ushtarak, Ebrahim Zolfaghari.
Zolfaghari tha se forcat iraniane tashmë kanë kryer sulme hakmarrëse, duke vënë zjarr në impiante nafte që ai i përshkroi si interesa amerikane në rajon, dhe theksoi se përgjigja e Iranit është në vazhdim e sipër.
Sulmet ajrore dhe raketore të Iranit kanë prekur disa baza ushtarake amerikane në Gjirin Persik, përfshirë Al Minhad dhe Al Dhafra, bazat helikopterike të Al Udeid dhe bazën Mina Salman, ku ndodhet Flota e 5-të amerikane. Zolfaghari tha se objektivat përfshinin ndërtesat e komandantëve, depot e karburantit, radarët paralajmërues dhe pistat kryesore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Pas këtyre sulmeve, çmimet e gazit në Evropë u rritën me 25%, ndërsa nafta regjistroi një rritje prej 10%, duke reflektuar tensionin më të madh në luftën që tashmë po hyn në javën e tretë. Sulmet iraniane shkaktuan dëme të mëdha në impiantin më të madh të gazit në Qatar, goditën një rafineri në Saudi Arabia, detyruan Emiratet e Bashkuara Arabe të mbyllin impiantet e gazit dhe nisën zjarre në dy rafineritë e Kuwait.
Zëdhënësi iranian paralajmëroi se nëse sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit përsëriten, hakmarrja do të jetë “shumë më e ashpër se sulmet e mbrëmshme,” duke lënë të kuptohet se konfrontimi në rajon mund të thellohet edhe më tej./mxh
