Last Updated on 21/07/2026 by EL
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi të martën se Forca e saj Hapësinore ka goditur me disa raketa lundruese infrastrukturën qendrore të të dhënave të kompanisë amerikane Amazon në Bahrein, duke pretenduar se objekti është shkatërruar.
Sipas deklaratës së IRGC-së, sulmi kishte në shënjestër edhe sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore dhe instalimet e radarëve në zonat Muharraq dhe Riffa të Bahreinit.
Deri tani, autoritetet e Bahreinit, Shtetet e Bashkuara dhe Amazon nuk kanë reaguar ndaj këtyre pretendimeve. Nuk ka ende një konfirmim të pavarur që të vërtetojë se sulmet kanë ndodhur apo se objektet e përmendura janë goditur.
Pretendimi vjen në ditën e dhjetë të përplasjeve të drejtpërdrejta ushtarake mes Iranit dhe SHBA-së, ndërsa përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve vazhdojnë.
Teherani ka paralajmëruar se, nëse sulmet amerikane ndaj infrastrukturës iraniane vazhdojnë, do të godasë objekte dhe infrastruktura në vendet e rajonit që përdoren ose vihen në dispozicion të forcave amerikane.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani do të “paguajë shumëfish” për vdekjen e tre ushtarëve amerikanë në Jordani dhe Irak.
Në të njëjtën deklaratë, IRGC tha se sulmi ishte një kundërpërgjigje ndaj asaj që e cilësoi si “agresion ushtarak amerikan” kundër objekteve civile, ende në ndërtim, në Darkhovin.
Ndërkohë, Misioni i Përhershëm i Iranit pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë i bëri thirrje Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së të dënojnë sulmin amerikan ndaj centralit bërthamor në ndërtim në Darkhovin.
IAEA ka bërë të ditur se po shqyrton raportimet për incidentin, por ende nuk ka publikuar një vlerësim të pavarur mbi ngjarjen./et
