Last Updated on 04/04/2026 by EL
I ftuar në studion e “Balkan Talks”, ish-ambasadori Agim Nesho foli për situatën e luftës në Iran dhe negociatat ndërkombëtare që po zhvillohen. Sipas tij interesat strategjike të SHBA-së dhe Izraelit për Iranin janë të ndryshme, por objektivat kryesore mbeten mospajisja e Iranit me armë bërthamore dhe kontrolli i industrisë ushtarake dhe armëve balistike. Nesho përmendi se negociatat po vazhdojnë dhe se Iranianët kërkojnë zëvendësimin e figurave si Kushner e Witkov, duke sugjeruar përfshirjen e zëvendëspresidentit amerikan.
Ai shtoi se situata në Lindjen e Mesme reflekton lindjen e një rendi të ri global, ku superfuqitë po kërkojnë të sigurojnë zonat e tyre të influencës. Nesho kujtoi se operacionet amerikane ndaj Iranit nuk ishin të planifikuara për një afat të gjatë, por rezistenca dhe veprimet e Gardës Revolucionare kanë shtyrë këtë proces. Sipas tij, veprimet amerikane synojnë të mbajnë ekuilibrin në rajon dhe të parandalojnë që regjimi të kërcënojë botën me armë bërthamore dhe raketat balistike.
“Unë mendoj që çdo luftë sigurisht arrin në një pikë që negociohet fundi i saj, edhe kjo do të jetë e ardhmja e konfliktit midis Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Dihet që në këtë dyshe pikësimet strategjike për Iranin janë të ndryshme dhe nëse shohim veprimet e presidentit Trump, ai kalon nga një pikë në tjetrën pa u fokusuar në ndryshimin e regjimit, i cili ishte një nga qëllimet kryesore fillimisht për Izraelin, ashtu si dhe mospajisja me armë bërthamore e Iranit. Tani po vazhdojnë negociatat, dhe dihet që iranianët kërkojnë që personat si Kushneri dhe Witkov të zëvendësohen nga zëvendëspresidenti amerikan, i cili ka një qëndrim më të përshtatshëm. Jetojmë në fillimet e një rendi të ri, ku superfuqitë kërkojnë të sigurojnë zonat e tyre të influencës, dhe Irani është pjesë e lëvizjeve gjeopolitike të Amerikës, duke filluar nga Panamaja dhe Venezuela. Operacioni ushtarak i SHBA ka për qëllim që Irani të mos ketë armë bërthamore dhe të goditet industria e armëve balistike. Ky veprim synon të rregullojë ekuilibrat në Lindjen e Mesme dhe të shmangë ndërthurjen e interesave të shumë fuqive lokale. Edhe pse shumë analistë mendojnë se nuk ka një strategji dalëse të qartë, është e mundur që Shtetet e Bashkuara të arrijnë objektivat e tyre strategjike, përfshirë marrjen e materialeve bërthamore ose kontrollin e ishullit strategjik në ngushticën e Ormuzit”, tha Nesho.
Ai përfundoi duke theksuar se, edhe pse shumë analistë mendojnë se nuk ka një strategji të qartë dalëse, ekziston mundësia që Shtetet e Bashkuara të arrijnë objektivat e tyre strategjike përmes negociatave, duke përfshirë marrjen e materialeve bërthamore ose kontrollin e pikave strategjike si ishulli që kontrollon ngushticën e Hormuzit ndërsa tha se se çdo palë po përpiqet të sigurojë avantazhin e saj në këtë proces diplomatik të ndërlikuar.
