Ish-ministrja e Arsimit, Mirela Karabina, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të disa deputetëve të Partisë Demokratike që kanë shprehur mbështetje për protestën e zhvilluar së fundmi. Në një reagim publik, Karabina ka kritikuar veçanërisht deputetët e PD-së, Klevis Balliu dhe Belind Këlliçi, për postimet e tyre në mbështetje të protestës.
Karabina i ka akuzuar ata për oportunizëm dhe përpjekje për të përfituar politikisht nga një revoltë qytetare me të cilën, sipas saj, nuk kanë asnjë lidhje. Përkundrazi, ajo i konsideron këta politikanë si pjesë të përgjegjësisë për gjendjen e rinisë dhe të vetë demokratëve.
“Disa deputetë të PD-së pse nxjerrin foto nga protesta sikur është e tyre? Nuk kanë fare, fare lidhje me këtë Protestë, përkundrazi, janë shkaktarët e daljes së rinisë në Shesh. Rrinë dhe si struci… E humbën shansin, i lanë demokratët rrugëve për një karrike! Revolucioni tyre nuk u ndez kurrë! As nuk sjellin PD në pushtet e as kanë fuqi! Pse bëhen kaq të turpshëm, mohojnë thelbin e protestës, thirrjet janë njësoj “rama n’burg” e “berisha n’burg”? Apo kërkojnë të përfitojnë përsëri? Neveritëse! Turp! I marrin për budallenj qytetarët këta”, shkruan Mirela Karabina.
Reagimi i ish-ministres vjen në një moment sensitiv politik, duke nxjerrë në pah pakënaqësitë e thella dhe ndasitë brenda kampit opozitar, ku sipas saj, mesazhi i vërtetë i qytetarëve në shesh po tentohet të tjetërsohet nga eksponentë të caktuar politikë./a.d
