Tel Avivi është përfshirë nga deklarata të forta politike dhe ushtarake lidhur me përshkallëzimin e konfliktit me Iranin. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi këtë të mërkurë se operacioni ushtarak kundër Iranit do të vazhdojë pa afat kohor, derisa të arrihen të gjitha objektivat e përcaktuara nga Izraeli dhe aleatët e tij.
Duke folur në mbledhjen e kabinetit ushtarak në selinë e Hakirya në Tel Aviv, Katz theksoi se Izraeli do të vazhdojë të godasë objektiva strategjike të regjimit iranian në Teheran dhe në pjesë të tjera të vendit. Sipas tij, këto veprime synojnë dobësimin e regjimit dhe krijimin e kushteve që populli iranian të ngrihet kundër qeverisë së tij.
“Ne do të vazhdojmë të veprojmë dhe të godasim regjimin, si dhe objektivat strategjike të tij në Teheran dhe në të gjithë Iranin, ditë pas dite, objektiv pas objektivi. Kjo do të ndihmojë gjithashtu që populli iranian të ngrihet dhe të përmbysë regjimin”, u shpreh Katz.
Ai shtoi se operacioni po zhvillohet në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas ministrit izraelit të Mbrojtjes, presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu komunikojnë dhe koordinojnë çdo ditë për drejtimin e strategjisë së përbashkët ushtarake.
Katz theksoi se operacioni po realizohet në bashkëpunim me Komandën Qendrore të ushtrisë amerikane, CENTCOM, dhe me forcat e armatosura të SHBA-së, duke shtuar se fushata do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të arritur fitoren.
Ndërkohë, konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e dytë. Sipas autoriteteve izraelite, sulmet iraniane kanë shkaktuar deri tani 12 viktima në Izrael.
Nga ana tjetër, Irani ka goditur edhe baza ushtarake amerikane dhe misione diplomatike në vendet arabe të Gjirit. Sulmet kanë prekur gjithashtu hotele, aeroporte dhe infrastrukturë të naftës në rajon.
Sipas ambasadorit iranian në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani, më shumë se 1300 civilë iranianë kanë humbur jetën që nga nisja e sulmeve ajrore amerikano-izraelite më 28 shkurt./MXH
