Qeveria izraelite pritet të miratojë një fond prej 1 miliard shekelësh, ose rreth 338 milionë dollarë, për ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës së vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas organizatës izraelite kundër vendbanimeve “Peace Now”, fondet do të përdoren për ndërtimin e rrugëve hyrëse, sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve, përgatitjen e terrenit dhe ngritjen e strukturave të përkohshme të banimit në dhjetëra vendbanime të miratuara gjatë tre viteve të fundit.
Organizata argumenton se qeveria po përpiqet të përshpejtojë ndërtimet përpara zgjedhjeve të ardhshme, duke krijuar realitete të reja në terren që do të jenë më të vështira për t’u ndryshuar nga çdo qeveri e ardhshme.
Plani mbështetet nga ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, një prej figurave më të zëshme në favor të zgjerimit të vendbanimeve hebraike në territoret palestineze. Sipas mediave izraelite, fondet do të përdoren për zhvillimin e infrastrukturës bazë në vendbanimet që janë miratuar nga qeveria gjatë viteve të fundit.
Nga ana tjetër, autoritetet palestineze e kanë dënuar nismën, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të penguar krijimin e një shteti palestinez dhe për të zgjeruar kontrollin izraelit në territoret e pushtuara.
Aktualisht, rreth 700 mijë kolonë izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, ndërsa në këto zona jetojnë rreth 2.7 milionë palestinezë. Shumica e vendeve dhe organizmave ndërkombëtarë i konsiderojnë vendbanimet izraelite të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare, një qëndrim që Izraeli e kundërshton.
Zgjerimi i vendbanimeve mbetet një nga çështjet më të debatueshme në konfliktin izraelito-palestinez dhe konsiderohet nga palestinezët dhe shumë vende si një pengesë kryesore për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje./mxh
