Reperi dhe sipërmarrësi amerikan Jay-Z bashkon forcat me producentin legjendar Rick Rubin në një seri të re dokumentare mbi jetën e tij, me titull “Jay-Z in 8”.
Seriali pritet të ketë premierën në HBO këtë vjeshtë, ndërsa tashmë është publikuar edhe traileri i parë, që ofron një pamje të shkurtër të asaj që do të sjellë dokumentari. Gjatë tetë episodeve, Jay-Z rrëfen rrugëtimin e tij krijues, duke analizuar muzikën, tekstet dhe përvojat personale që kanë formësuar jetën dhe karrierën e tij.
Regjinë e projektit, në emër të HBO Documentary Films, e ka marrë përsipër Rick Rubin, i cili është vlerësuar nga revista TIME si një nga “100 njerëzit më me ndikim në botë”. Dyshja kanë bashkëpunuar edhe më parë, pasi Rubin ishte producenti i hitit të famshëm të Jay-Z, “99 Problems”, pjesë e albumit “The Black Album” në vitin 2003.
“Jay-Z in 8” është një prodhim i kompanisë Tetragrammaton. Rubin ndan rolin e producentit ekzekutiv me Shawn Carter (emri i vërtetë i Jay-Z) dhe aktorin Daniel Kaluuya. Sipas Deadline, Lela Mattimore dhe David Rohde janë gjithashtu pjesë e ekipit të producentëve.
Jay-Z është fitues i 25 çmimeve Grammy. Në vitin 2017 ai u bë reperi i parë që u pranua në Songwriters Hall of Fame, ndërsa në vitin 2021 hyri në histori si artisti i parë solo i hip-hopit, ende në jetë, që u përfshi në Rock & Roll Hall of Fame. Që prej vitit 2008 ai është i martuar me Beyoncé, me të cilën ka tre fëmijë./mxh
