Chiara Ferragni ka reaguar ndaj komenteve për pamjen e saj fizike, pasi disa ndjekës i kanë shkruar se është shëndoshur apo se po plaket. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, influencerja italiane tregoi se këto komente nuk e shqetësojnë më si dikur, pasi sot ndihet shumë më e sigurt dhe në paqe me veten.
“Jam në një gjendje shumë të qetë mendore dhe ndihem e sigurt për atë që jam. Kam punuar shumë për të arritur këtë siguri”, u shpreh Ferragni.
Ajo tha se, edhe pse dëshiron të duket sa më mirë dhe kujdeset për fytyrën dhe trupin e saj, tashmë dëshiron edhe ta pranojë veten ashtu siç është.
“Jam 39 vjeç, kam dy fëmijë, më në fund kam një marrëdhënie të shëndetshme. Jam e lumtur, e kënaqur, e dua punën time dhe po nis të punoj sërish në projekte të reja e emocionuese. Jam krenare për personin që jam bërë”, tha ajo.
Ferragni foli edhe për periudhat kur ka qenë shumë e dobët. Ajo sqaroi se natyrshëm është e dobët dhe se kjo lidhet me gjenetikën, por pranoi se në të kaluarën kishte pasur një marrëdhënie jo të shëndetshme me trupin e saj.
“Gjithmonë kam qenë e dobët, kjo është ADN-ja ime dhe jam me fat për këtë. Sigurisht, ushtrohem dhe përpiqem të bëj më të mirën. Por dikur isha shumë e pasigurt për trupin tim dhe gjithmonë doja të isha edhe më e dobët”, rrëfeu ajo.
Ajo theksoi se nuk ka vuajtur kurrë nga çrregullime të të ushqyerit, por ka kaluar periudha kur ishte shumë e trishtuar dhe nuk hante mjaftueshëm, ndërsa në periudha të tjera ishte e fiksuar pas ushqyerjes së shëndetshme.
“Kur shoh veten në ato periudha kur isha jashtëzakonisht e dobët, kuptoj se isha e mjerë. Isha shumë e trishtuar. Ishin periudhat më të këqija të jetës sime. Sa herë që më shihni në fotot ku jam në versionin tim më të dobët, kjo do të thotë se nuk po kaloja një periudhë shumë të lumtur”, tregoi Ferragni.
“Tani e dua trupin tim. Mendoj se mund të bëhet më në formë dhe më i tonifikuar, por e dua personin që jam”, u shpreh ajo.
Ferragni tha se dëshiron të jetojë jetën e saj më të mirë dhe të duket sa më mirë, por tashmë e sheh plakjen në një mënyrë tjetër.
“Të plakesh është një privilegj. Jo të gjithë kanë fatin të plaken. Shumë njerëz sëmuren, shumë njerëz humbin jetën. Prandaj, sigurisht që dua të jetoj jetën time më të mirë dhe të përpiqem të dukem sa më mirë, por mendoj se versioni im më i mirë sot është ai më natyrali.”
Ajo tregoi se po mëson të ndihet mirë edhe pa ndërhyrje të shumta në pamjen e saj.
“Po më pëlqejnë flokët e mi natyralë. Nuk po u bëj më asgjë. Më pëlqen ta shoh veten pa grim. Sigurisht, kur dal, vendos pak makeup, por thjesht po mësoj ta dua veten për atë që jam.”
“Po mësoj ta dua veten për atë që jam. Dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. M’u desh shumë kohë për të arritur këtu. Më në fund ia dola dhe dua ta mbroj këtë paqe.”/ad
