Jessie J u detyrua të ndërpresë për pak çaste koncertin e saj, pasi dy spektatorë u përfshinë në një sherr dhe këngëtarja kërkoi nga sigurimi t’i largonte nga turma.
Këngëtarja po performonte në festivalin Party in the Paddock, në Mbretërinë e Bashkuar, fundjavën e kaluar, kur papritur dy persona në publik nisën të konfliktoheshin.
Në videot e publikuara në TikTok, Jessie J fillimisht shihet duke u kërkuar të përfshirëve të qetësohen, por përpjekja e saj nuk pati efekt. Në këto kushte, ajo iu drejtua sigurimit dhe kërkoi që dy personat të nxirreshin nga zona.
“A mund të përpiqen të gjithë thjesht të qetësohen? Sa më shumë përshkallëzohen gjërat, aq më keq do të bëhen. Ky është alkooli dhe egoja. Thjesht qetësohuni”, tha këngëtarja.
Ajo u kërkoi edhe pjesëtarëve të tjerë të publikut të ruanin qetësinë.
“Mos e harxhoni kohën me energji negative. Sidomos duke goditur njerëz? Hajde tani, përpara fëmijëve, absolutisht jo. Thjesht qetësohuni. Merrni frymë”, vijoi ajo, teksa përpiqej t’i jepte fund konfliktit.
Në atë moment, një burrë u dëgjua duke bërtitur dhe duke sharë, duke bërë që Jessie J të humbiste durimin.
“Ka kaq shumë njerëz që kanë paguar para për këtë koncert, për të më parë mua. Kështu që, a mund t’i nxirrni thjesht jashtë që të vazhdojmë?”, tha ajo, duke marrë duartrokitjet e turmës.
“Nxirrini jashtë, nuk na duhen këtu. Njerëzit kanë pritur me orë për të na parë. Thjesht nxirrini jashtë. Thirruni një Uber, do ta paguaj unë”, shtoi këngëtarja.
Më pas, Jessie J i kërkoi publikut të hapte një korridor, në mënyrë që personat që po shkaktonin trazira të largoheshin sa më shpejt.
“Jepuni një gotë ujë dhe krem dielli me faktor 70… kanë nevojë për të”, pohoi ajo me humor duke mos lënë mënjanë ironinë.
Jessie J është një nga zërat më të njohur të popit britanik, e bërë e famshme ndërkombëtarisht me hite si “Price Tag”, “Domino” dhe “Bang Bang”, si dhe me vokalin e saj të fuqishëm e energjinë karakteristike në skenë.
Vitet e fundit, këngëtarja është përballur me disa sfida shëndetësore dhe në vitin 2025 u diagnostikua me kancer gjiri në fazë të hershme, për të cilin iu nënshtrua një mastektomie dhe një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale që rezultoi e sukseshme dhe tashmë Jessie J është rikthyer në skenë, duke vijuar karrierën e saj muzikore./mxh
