Last Updated on 25/11/2025 by Leonard
Në dokumentarin ‘My Father and Qaddafi’, Libia ende e shkatërruar
Libia koloniale, ajo e Gadafit (i rrëzuar në vitin 2011 pas më shumë se 40 vitesh në pushtet) dhe Libia e sotme; trauma personale dhe kolektive; kërkimi, edhe emocional, për një baba të zhdukur papritur më shumë se 30 vjet më parë.
Këto janë disa nga linjat që ndërthuren dhe pasqyrojnë një të tashme të mbytur në konflikte, në My Father and Qaddafi, dokumentari i autores debutuese Jihan K., i cili pas premierës botërore në Festivalin e Filmit në Venecia, po shfaqet në festivale ndërkombëtare dhe prezantohet në Itali në një sërë parashfaqjesh.
Filmi dokumentar, i koprodhuar nga Valentina Castellani-Quinn (Quinn Studios Entertainment), rrotullohet rreth historisë së juristit dhe aktivistit Mansur Rashid Kikhia, i cili, pasi kishte shërbyer midis fillimit të viteve ’70 dhe vitit 1980 si ministër i Jashtëm i Libisë dhe ambasador i regjimit të Gadafit në OKB, u largua nga qeveria dhe u bë një udhëheqës paqësor dhe shumë i respektuar i opozitës.
Në vitin 1993 ai u zhduk nga hoteli i tij në Egjipt dhe që prej asaj dite u humb çdo gjurmë. Bashkëshortja e tij, artistja Baha Omary Kikhia, shtetase amerikane me origjinë siriane dhe nëna e Jihanit, nuk reshti së luftuari për të marrë informacion dhe për të kërkuar lirimin e tij. Deri në vitin 2012, kur trupi i Mansurit u gjet në frigoriferin e një vile pranë Tripolit. Ai kishte vdekur në burg (rrethanat mbeten mister) rreth 10 vjet më parë.
Jihan ishte vetëm gjashtë vjeçe dhe jetonte me familjen e saj në Francë kur i ati u rrëmbye:
“Unë jetoj me këtë ndjesi surreale, e kam mbërthyer babanë tim në botën e ëndrrave,” – shpjegon ajo për ANSA-n, – “kjo më ndihmoi gjatë punës për filmin, sepse më lejoi ta trajtoja historinë në mënyrë më gazetareske, me mendje të hapur”. Jihan e shtynte përpara edhe ajo që kishte ndodhur në Libi gjatë viteve të fundit: “As katër javë pas varrimit të tim eti në Bengazi, qyteti i tij i lindjes, qeveria e tranzicionit u shemb dhe vendi u zhyt në luftë civile. Shkatërrimi vazhdon, Libia po përjeton një traumë pas tjetrës. E kuptova se nuk doja që babai im, kujtimi i tij, të zhdukej për herë të dytë. Herën e parë isha thjesht një fëmijë dhe nuk mund të bëja asgjë; kësaj here ndjeva se mund të veproja përmes filmit”.
Kështu, “e lidha nevojën për të mos e humbur sërish atë, me nevojën e të gjithë vendit – Libisë. Doja të kërkoja të vërtetën për të dyja.” Ishte një udhëtim në të cilin “mësova se kur dikush shpallet hero, ai i përket komunitetit. Dhe megjithëse është e bukur të kesh një baba që kthehet në simbol dhe frymëzim, unë doja të zbuloja njerëzoren e tij të plotë, madje edhe kompleksitetin e tij”.
Burimi: ansa.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
