Zyrtari i lartë i qeverisë britanike dhe shefi i kabinetit të Kryeministrit, Darren Jones, deklaroi se debatet e brendshme në Partinë Laburiste duhet të zhvillohen privatisht dhe jo në publik, pasi sipas tij, diskutimet publike po dëmtojnë punën e qeverisë.
Në një intervistë për BBC, Jones tha se Partia Laburiste po përballet me një “sërë bisedimesh sfiduese” pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale, por theksoi se qeveria vazhdon punën për të zbatuar prioritetet e saj.
Ai nënvizoi se ka një dallim mes partisë dhe qeverisë, duke shtuar se kabineti po fokusohet në çështje të rëndësishme si de-përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme dhe ndikimi i saj në vend.
Jones gjithashtu konfirmoi se kryeministri britanik, Keir Starmer, nuk ka plan të largohet nga detyra, pavarësisht presioneve të brendshme në parti dhe thirrjeve nga disa deputetë për dorëheqje.
Sipas tij, Starmer po përballet me një detyrë “jashtëzakonisht të vështirë”, por mbetet i përkushtuar ndaj përgjegjësive të tij si kryeministër dhe ndaj zbatimit të programit qeverisës.
Jones theksoi gjithashtu se kabineti po punon për projektligje të reja që pritet të paraqiten në Parlament, me synim realizimin e ndryshimeve të premtuara në programin elektoral të Laburistëve.
Këto deklarata vijnë në një moment kur presioni politik mbi qeverinë britanike është rritur pas rezultateve të fundit zgjedhore dhe pakënaqësive brenda vetë partisë në pushtet./mxh
