Kryeshefeja për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, njoftoi të hënën se BE po përgatit një iniciativë të re për të bërë lidhjen mes prodhimeve industriale të Ukrainës dhe nevojave ushtarake të vendeve në Lindjen e Mesme.
Gjatë një fjalimi në konferencën e ambasadorëve të BE-së, Kallas tha se kjo iniciativë synon të përmbushë nevojën për interceptues dronësh në rajon.
Ajo shtoi se Bashkimi Evropian do të nënshkruajë gjithashtu partneritete në fushën e mbrojtjes me Australi, Islandë dhe Ganë gjatë ditëve në vijim.
Kallas theksoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së, duke e cilësuar si “politikën më të suksesshme të jashtme të Bashkimit”, që ka sjellë stabilitet, paqe dhe prosperitet. Ajo theksoi se zgjerimi duhet të mbetet meritokratik, por ritmi duhet të përshpejtohet në kontekstin aktual gjeopolitik.
Kryeshefeja e politikës së jashtme të BE-së gjithashtu paralajmëroi se Irani po përpiqet të përshkallëzojë konfliktin në Lindjen e Mesme duke sulmuar vendet e tjera të rajonit në mënyrë të pakontrolluar.
Sipas Kallas, rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme kombëtare në disa shtete anëtare, si dhe zgjedhjet e pjesshme në Shtetet e Bashkuara, do të ndikojnë në aftësinë e BE-së për të vepruar në politikën e jashtme dhe në zhvillimet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme./mxh
