Kanadaja dhe Filipinet kanë përmbyllur negociatat për një marrëveshje të re të tregtisë së lirë, njoftoi të shtunën kryeministri kanadez Mark Carney. Marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe të ndihmojë Kanadanë të ulë varësinë tregtare nga Shtetet e Bashkuara, pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Uashingtonin.
“Një vit më parë, Kanadaja dhe Filipinet nisën negociatat për një marrëveshje të re të tregtisë së lirë. Sot, negociatat tashmë kanë përfunduar”, shkroi Carney në një postim në rrjetet sociale. Kryeministri kanadez ndodhet në Manila për të marrë pjesë në samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).
Duke folur për mediat në kuadër të samitit, Carney tha se qeveria e tij do të punojë për finalizimin sa më të shpejtë të marrëveshjes, e cila pritet të hyjë në fuqi në vitin 2027. Sipas tij, procesi deri në nënshkrimin zyrtar të saj mund të zgjasë rreth gjashtë muaj.
Marrëveshja pritet të krijojë mundësi të reja për bizneset kanadeze në disa sektorë, përfshirë bujqësinë, industrinë ajrore, inteligjencën artificiale, produktet pyjore, minierat, energjinë dhe shërbimet. “Ky është një lajm i mirë për kanadezët që punojnë në sektorin e bujqësisë, industrinë ajrore, madje edhe në inteligjencën artificiale, si dhe për bizneset tona që operojnë në fushën e produkteve pyjore, minierave, energjisë, shërbimeve dhe më gjerë”, deklaroi Carney.
Paralelisht, Kanadaja synon të arrijë një marrëveshje më të gjerë tregtare me të gjithë bllokun ASEAN, i cili përbëhet nga 11 vende. Sipas Carney, negociatat për këtë marrëveshje kanë përfunduar në një masë të konsiderueshme.
Kryeministri kanadez e cilësoi këtë nismë pjesë të strategjisë për krijimin e një rrjeti të gjerë partnerësh të besueshëm, që do t’u ofrojë më shumë mundësi bizneseve, më shumë alternativa konsumatorëve dhe vende pune më të mira punonjësve kanadezë. Një nga objektivat kryesore të Otavës është dyfishimi i eksporteve drejt vendeve jashtë SHBA-së deri në vitin 2035.
Në këtë kuadër, Kanadaja po afron gjithnjë e më shumë marrëdhëniet tregtare me Evropën dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, në përpjekje për të reduktuar varësinë nga tregu amerikan. Kjo strategji është përshpejtuar pas përplasjeve të përsëritura tregtare me presidentin amerikan Donald Trump.
Trump pritet të mbërrijë në Manila në fillim të javës së ardhshme, përpara se të udhëtojë drejt Kinës, ku do të marrë pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që do të zhvillohet në Shenzhen. Ndërkohë, Carney do të vizitojë fillimisht Kamboxhian dhe më pas do të udhëtojë gjithashtu drejt Kinës.
