Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka njoftuar këtë të premte një riorganizim të rëndësishëm të kabinetit të tij, në prag të disa zgjedhjeve të rëndësishme rajonale.
Lëvizja vjen në një kohë kur qeveria e Merz po përballet me rënie të mbështetjes në sondazhe dhe kritika për vështirësitë në përmbushjen e premtimeve për rimëkëmbjen e ekonomisë. Ndërkohë, sondazhet tregojnë rritje të mbështetjes për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet në Berlin, Saksoni-Anhalt dhe Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore.
Sipas ndryshimeve të paralajmëruara, Nina Warken do të zëvendësojë Thorsten Frei në postin e shefes së Kancelarisë Federale. Nga ana tjetër, Carsten Linnemann, i cili deri tani ka qenë sekretar i përgjithshëm i Unionit Kristian-Demokrat (CDU), do të marrë detyrën e ministres Warken në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.
Thorsten Frei do të kalojë në krye të grupit parlamentar të Unionit, pas dorëheqjes së Jens Spahn javën e kaluar.
Dorëheqja e Spahn erdhi pasi ai dhe bashkëshorti i tij njoftuan se ishin bërë prindër përmes një nëne surrogate në Shtetet e Bashkuara. Rasti shkaktoi debat të gjerë në Gjermani, pasi shtatzënia surrogate është e ndaluar me ligj në vend dhe CDU vazhdon ta kundërshtojë këtë praktikë.
Sipas mediave gjermane, edhe ministri i Transportit, Patrick Schnieder, pritet të largohet nga detyra. Gazeta Bild raportoi se deputeti Fritz Güntzler është një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar.
Vetë Merz kishte lënë të kuptohej gjatë fundjavës se dorëheqja e Spahn mund të shërbente si mundësi për një riformatim më të gjerë të kabinetit.
Kancelari pritet të japë më shumë detaje mbi ndryshimet gjatë ditës së nesërme, ndërsa nuk përjashtohen edhe emërime apo largime të tjera në qeverinë federale./ad
