Një konflikt i çastit është parandaluar nga ndërhyrja e Policisë në lagjen “Popullore”, ku një 39-vjeçar përfundoi në pranga pas një serie veprimesh të dhunshme.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin I. N., i cili dyshohet se për motive të dobëta ka dëmtuar me mjet prerës xhamin e automjetit të një 55-vjeçari me iniciale D.Ç. Më pas, ai e ka goditur fizikisht dhe e ka kanosur me hanxhar, duke e kërcënuar për jetën.
Ndërhyrja në kohë e policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Gjatë kontrollit, uniformat blu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një thikë dhe një hanxhar, të cilat dyshohet se u përdorën gjatë ngjarjes.
39-vjeçari akuzohet për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme./Mxh
