Rreth 40 fluturime u anuluan të enjten në aeroportin Charleroi të Belgjikës, ndërsa situata pritet të shkaktojë probleme të tjera edhe gjatë së premtes, për shkak të grevës së kontrollorëve të trafikut ajror. Në faqen zyrtare të aeroportit ishin evidentuar tashmë rreth 10 anulime për fluturimet e së premtes, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri mund të rritet gjatë ditës.
Aeroporti bëri të ditur se janë konfirmuar 18 anulime për orët e para të mëngjesit të së premtes. Drejtori i operacioneve të aeroportit, Nicolas Charluteau, deklaroi se situata mund të vazhdojë të ndikojë në funksionimin normal të aeroportit deri në orën 08:00 të mëngjesit dhe më pas përsëri nga ora 22:00 e së premtes.
Gjatë së enjtes, 9 fluturime në nisje dhe 9 në mbërritje u anuluan në mëngjes. Për orët e mbrëmjes ishin parashikuar edhe 12 anulime të tjera si për nisjet, ashtu edhe për mbërritjet. Shkak i ndërprerjeve është protesta e kontrollorëve të trafikut ajror në Charleroi, të cilët po zhvillojnë grevë gjatë natës, nga ora 22:00 deri në 08:00. Aksioni është planifikuar të vijojë nga 16 shtatori deri më 10 tetor.
Sindikatat kërkojnë që pagesa shtesë për punën gjatë turneve të natës të barazohet me atë që marrin kontrollorët në aeroportin e Liezhit. Nga ana tjetër, Skeyes, operatori belg i kontrollit të trafikut ajror, e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke argumentuar se ndryshimi do të sillte një rritje prej rreth 160 për qind./mxh
