Mbi 414 kilogramë hashash janë sekuestruar nga policia italiane gjatë një operacioni antidrogë në Guidonia Montecelio, pranë Romës, ku u vu në pranga një 29-vjeçar shqiptar. Droga e sekuestruar, nëse do të hidhej në treg, do të mund të gjeneronte më shumë se 4 milionë euro fitime.
Ky i fundit u kap në momentin kur po përpiqej të ngarkonte në bagazhin e makinës së tij disa valixhe të mëdha. Pikërisht brenda valixheve, efektivët e policisë gjetën 98 kilogramët e parë të hashashit.
Hetuesit u drejtuan më pas te sasitë e tjera nga një tufë çelësash që posedonte i riu. Çelësat rezultuan të ishin për një seri magazinash në zonën mes Guidonias dhe Romës.
Kontrollet e nisura më pas zbuluan gradualisht një rrjet të vërtetë logjistik për ruajtjen e drogës. Pas dyerve që hapeshin me këta çelësa, policët gjetën sasi të mëdha hashashi, së bashku me materiale të nevojshme për paketimin e tij.
Një pjesë e konsiderueshme e drogës mbahej “në të ftohtë”, brenda frigoriferëve të përdorur si ambiente të vërteta magazinimi.
Bashkë me lëndën narkotike, hetuesit gjetën gjithashtu edhe shënime të shkruara me dorë, që përmbanin të dhëna mbi sasitë e supozuara të drogës që ishin lëvizur.
Sekuestrimi i përgjithshëm arriti në më shumë se 414 kilogramë hashash, së cilës iu shtuan edhe materialet që konsiderohen të nevojshme për përgatitjen dhe paketimin e lëndës narkotike. Droga e sekuestruar, nëse do të hidhej në treg, do të mund të gjeneronte më shumë se 4 milionë euro fitime.
29-vjeçari shqiptar u arrestua për veprën penale të mbajtjes së lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen. Gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”./mxh
